COURTOIS ‘NE GREVE’ NUK PARAQITET PER STERVITJE

07.08.18 08:22


Kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në mbylljen e afatit kalimtar në Ligën Angleze ekipi i Çelsit (Chelsea) është duke u përballur me një krizë të vogël. Kjo sepse, siç raportojnë mediat angleze, pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa marrë leje portieri i tyre, Thibaut Courtois, nuk u paraqit për stërvitje.

Courtois është në vitin e fundit të kontratës së tij dhe ka refuzuar që të nënshkruajë renovimin e kontratës me klubin londinez. Kjo do të thotë se vitin e ardhshëm ai është i lirë që të largohet nga Çelsi falas dhe që në janar 2019 mund të fillojë negociatat me klubet e interesuara për shërbimet e tij.

Vet Courtois ka qenë shumë transparent në lidhje me këtë situatë dhe dëshirën e tij që të kalojë tek gjiganti spanjoll Real Madrid të cilët përkundër se e kanë një portier të klasit botëror si Keylor Navas janë në kërkim të një zëvendësuesi më të ri dhe më të mirë.

Courtois, i cili e fitoi dorëzën e artë si portieri më i mirë në botërorin që e lamë pas, pa dyshim i plotëson të gjitha kushtet pasi që ai është vetëm 26 vjeç dhe me blerjen e tij ekipi mbretëror do të ketë një portier klasi për 10 vitet e ardhshme.

Dëshira e Courtois për të kaluar në Madrid nuk ka të bëjë vetëm me arsye sportive por, edhe me ato personale. Fëmijët e tij jetojnë në Madrid me ish partneren e tij dhe portieri belg dëshiron që të jetë më afër tyre. Këtë qëndrim e konfirmoi ditë më parë edhe menaxheri i portierit, Christophe Henrotay, i cili në mes të tjerash theksoi se Courtois është i vendosur që të kalojë në Madrid për të qenë më afër familjes së tij.

Në përgjigje të këtyre komenteve trajneri i ri Çelsit, Maurizio Sarri theksoi se nuk ishte i interesuar për deklaratat e menaxherit dhe se ai do të kërkonte nga vet lojtari që të deklarohet për atë se çka dëshiron. Sarri, po ashtu, theksoi se nëse Courtois do të kërkonte largimin atëherë ai do të bisedonte me hierarkinë e klubit pasi që ai nuk dëshiron që të mbajë në skuadër lojtarë që nuk janë të angazhuar në maksimum për klubin e tyre.

Me sa duket ky veprim i Courtois është një sinjal i qartë se ai është i gatshëm që të bëjë gjithçka që mundet për të detyruar Çelsin që të miratojë transferimin e tij. Nëse kjo ndodh klubi madrilen pritet që të paguajë rreth 35 milionë euro për shërbimet e belgut.

Problemi është se për shkak të rregullave të reja Çelsi i ka vetëm dy ditë për të sjellë një portier që do ta zëvendësonte Courtois pasi që afati kalimtar në Angli do të mbyllet përpara se të nisë kampionati anglez.

Në anën tjetër Courtois ka kohë deri në fund të gushtit që të sigurojë transferimin e tij nga Çelsi pasi që afati kalimtar në ligat e tjera mbetet i hapur deri në fund të gushtit kurse rregullat e reja në Premier Ligën Angleze vlejnë vetëm për sa i përket prurjes së lojtarëve të rinj por, jo edhe për largimin e tyre jashtë Anglisë.

COURTOIS NE GREVE