PER FAT TE KEQ, JO AJO POR ATA SHKUAN NE SHTEPI!

12.07.18 07:42


Për herën e tretë me radhë Kroacia arriti që ta përmbys rezultatin dhe të dalë fituese në këtë botëror. Pas Danimarkës dhe Rusisë kësaj here radhën e pati kombëtarja e Anglisë e cila para se të fillonte ndeshja ishte favorite për shumicën e ekspertëve dhe tifozëve të futbollit.

Në komentin tonë për ndeshjen Argjentinë-Kroaci, në mes të tjerash e kemi theksuar se sa me zemër dhe pasion kishte luajtur Kroacia kundër Argjentinës për të siguruar atë fitore historike. Edhe mbrëmë kundër Anglisë, lojtarët kroat sërish e vërtetuan se luajnë më me zemër dhe pasion se çdo skuadër tjetër.

Pikërisht këto dy elemente së bashku me vetëbesimin që sa vjen e rritet si pasojë e rezultateve pozitive Kroacia arriti që për herë të parë të arrijë të kualifikohet në finalen e një botërori.

Ata jo vetëm që arritën që të realizojnë atë që pak kush e kishte besuar se mund ta bënin por, njëkohësisht e dhanë një mesazh të fortë për të gjitha vendet e vogla se për të fituar kampionatin botëror nuk duhet të jesh nga Gjermania, Argjentina, Brazili apo Italia.

E kemi thënë edhe më parë se falë shortit tejet të favorshëm Anglia deri në gjysmëfinale u testua vetëm një herë gjatë ndeshjes me Kolumbinë. Ky fakt dhe goli i hershëm kundër Kroacisë me sa duket i bënë lojtarët anglez që të mendonin se arritja në finale ishte punë e kryer.

Kroatët, në anën tjetër, besuan deri në minutën e fundit se ata mund të fitojnë dhe ata luftuan siç thotë populli “me mish e me shpirt për këtë”. Rezultati i këtij qëndrimi dy gola të shënuar nga dy raste ku një mbrojtje e përqendruar nuk do të kishte lejuar që të shënoheshin.

Në të dyja rastet lojtarët kroat ishin më të gatshëm për të vrapuar pas topit dhe njëherit e krijuan përshtypjen se e dëshiruan fitoren më shumë. Kroacinë në finale e pret Franca e udhëhequr nga Raphaël Varane dhe Samuel Umtiti të cilët, sigurisht të ndihmuar edhe nga bashkëlojtarët e tyre, arritën që të mbanin të paprekur portën e tyre kundër Belgjikës së Eden Hazard për të siguruar pjesëmarrjen në finale me rezultatin 1:0.

Kjo gjeneratë e Kroacisë tashmë ka hyrë në histori mirëpo, fitorja eventuale të dielën në finale mbase do t’ia sigurojë edhe "Topin e Artë" magjistarit të mesfushës kroate Luka Modriq. Pas ndeshjes së mbrëmshme besoj se të gjithë pajtoheni nëse themi se ndonëse nuk është e lehtë, në këtë kampionat gjithçka është e mundur.

CRO vs ENG RUSSIA 2018