FUTBOLLI EVROPIAN SUNDON

08.07.18 12:34


Çfarë kampionati!

Para se të fillonte Kampionati Botëror Rusi 2018 dy prej favoritëve kryesor ishin Argjentina dhe Brazili kjo falë edhe dy super yjeve Lionel Messi respektivisht Neymar të cilët i mbrojnë ngjyrat e këtyre dy kombëtareve. tani në prag të ndeshjeve gjysmëfinale një gjë është e sigurt, titulli i kampionit do të qëndrojë në Evropë.

Befasia më e madhe e xhiros së çerekfinales padyshim ishte fitorja e Belgjikës kundër Brazilit. Pas golit të Adnan Januzajt kundër Anglisë në fazën e grupeve i cili ia siguroi Belgjikës vendin e parë në grup por, edhe përballjen me Brazilin shumëkush mendoi se ky do të ishte goli më ters i kampionatit. Me sa duket, lojtarët belg nuk e kishin lexuar skenarin e njëjtë pasi që ata arritën që t’i befasonin të gjithë me një fitore historike 2:1 kundër Brazilit të Neymarit.

Nuk duhet të harrojmë se Belgjika më në fund është duke funksionuar si një skuadër e vërtetë dhe në këtë kampionat është treguar si një ndër ekipet më të kompletuara. Këtë e dëshmon edhe fakti se në 5 ndeshjet e luajtura në Rusi kjo kombëtare i ka shënuar plot 14 gola duke e dëshmuar kështu se kjo skuadër nuk e ka problem që të shënojë kundër cilitdo kundërshtar. Njëherit, edhe mbrojtja e Belgjikës me vetëm gjashtë gola të pranuar është për t’u pasur zili.

Ajo që bie edhe më shumë në sy pas humbjes së Brazilit është fakti se shumica e tifozëve anekënd botës u gëzuan për këtë eliminim. Shumica e tifozëve neutral zakonisht dëshirojnë që Brazili të triumfojë për shkak të lojës së tyre “jogo bonito” (lojës së bukur). Kësaj radhe për shkak të Neymar të gjithë u gëzuan që Brazili u eliminua. Arsyeja ishte aktrimi i tepruar i këtij futbollisti i cili në të gjitha ndeshjet e zhvilluara deri në çerekfinale i ka kaluar 14 minuta në tokë duke u shtirur sikur kundërshtarët ia kanë prerë këmbët. Rezultati i kësaj sjellje është se në tërë botën kanë shpërthyer shakatë në internet por, ç’ është edhe më e keqe imazhi i skuadrës së Brazilit ka pësuar një goditje të rëndë.

Në anën tjetër Uruguai pa Edinson Cavani-n u tregua një kafshatë e lehtë për kombëtaren e Francës e cila pas një fushate pothuajse të përgjumur gjatë fazës së grupeve, në ndeshjet eliminatore ka filluar që të tregoj talentin dhe thellësinë që ky ekip e ka. Fitorja 2:0 ishte pasqyrim i vërtetë i asaj që ndodhi në fushë. Për fat të keq, në fund mund të jetë vetëm një fitues dhe Franca do të takohet në gjysmëfinalen e parë e cila lirisht mund të quhet si finale e parakohshme.

Edhe Anglia e vazhdoi rrugëtimin e saj më tutje pa ndonjë problem duke e mposhtur Suedinë me rezultatin 2:0. Në gjysmëfinale Anglia do të përballet me Kroacinë. Kjo në fakt do të jetë vetëm ndeshja, apo më mirë të themi, testi i dytë i vërtetë për anglezët në këtë kampionat. Testi i parë ishte kombëtarja e Kolumbisë dhe në atë ndeshje Anglisë iu deshën penalltitë për të fituar. Nuk ka dyshim se deri në këtë fazë Anglia e ka pasur një short shumë më të lehtë se sa tri gjysmë finalistët e tjerë.

Pas njëzet vitesh gjegjësisht 5 kampionateve botërore Kroacia arriti që të ripërsëritur suksesin e gjeneratës së Davor Shuker dhe Robert Prosinecki të cilët patën arritur që të zinin vendin e tretë në Kampionatin Botëror Francë 1998. Njëzet vjet më vonë nën udhëheqjen e magjistarit të mesfushës Luka Modric Kroacia arrin që të kalojë në gjysmëfinale. Ndonëse ata nuk e arritën këtë pa dramë pasi që u deshën sërish penalltitë që Kroacia të siguronte biletën e saj për në gjysmë finale. Nëse kjo gjeneratë do të mund të shkojë një hap më tutje dhe të regjistrojë paraqitjen e parë në finale të botërorit të botërorit do të mësohet ditën e mërkurë më datë 11 korrik kur Kroacia do të përballet me Anglinë për të synuar finalen e madhe.

WC 2018 QUARTERFINALS