MESOHEN CIFTET CEREK FINALISTE

04.07.18 00:05


Pas katër ditë të mbushura përplot me futboll të bukur, pasion, emocione dhe befasi nga më të mëdhatë tani jemi një hap më pranë finales së madhe dhe titullit të kampionit. Mirëpo, le të mos ngutemi edhe aq shumë pasi që vërtetë kemi nevojë që të pushojmë dhe të reflektojmë pak e pastaj i kemi edhe dy gjiro të tjera që duhet të luhen çerekfinalet dhe gjysmëfinalet para se të arrijmë në finalen e madhe.

Por le t’i analizojmë shkurt ndeshjet që i pamë gjatë këtyre katër ditëve që kaluan.

Dy finalistët e botërorit të kaluar shkojnë herët në shtëpi

S’ka asnjë dyshim se befasia më e madhe e këtij kampionati është fakti se dy finalistët e botërorit të kaluar Gjermania (kampionia në fuqi) dhe Argjentina dëshpëruan me paraqitje tepër të dobëta. Përderisa e para nuk arriti të kalonte as fazën e grupeve, e dyta (Argjentina) pothuajse ia doli që t’i mashtronte të gjithë sikur vazhdonte të mbetej favorite.

Kjo edhe më shumë për shkak të emrave të mëdhenj të këtij ekipi e sidomos Lionel Messi. Mirëpo edhe ky i fundit sikurse tërë skuadra e Argjentinës luajti pa zemër dhe pa shpirt. Kështu që loja kundër Francës jo vetëm që i solli në realitet, ashtu si edhe ajo kundër Kroacisë, por futbollit sivjet iu bë një nder i madh.

Tifozët e lojës së bukur nuk e meritojnë që në çerekfinale të shohin një ekip që jo vetëm ka performanca tejet të dobëta, që luan pa ide dhe koncept por, që edhe është sensacioni i tabloideve dhe shakave në mbarë botën, se trajneri i vërtetë ishte Lionel Messi dhe jo Jorge Sampaoli.

Franca i tregon “muskujt”

Mirëpo, le t’i kthehemi futbollit tani. Franca që deri në këtë ndeshje nuk u testua me të vërtetë dhe pati performanca mesatare, në këtë ndeshje e rriti nivelin dhe luajti si një pretendent i vërtetë për titullin kampion. Këtu duhet të dallojmë të riun Kylian Mbappe i cili me paraqitjen e tij kundër Argjentinës e dëshmoi se nuk është një sensacion i një sezoni të vetëm por, një lojtar i cili ashtu si edhe Messi dhe Ronaldo do të dominojë skenën e futbollit botëror.

Ndeshja e radhës ishte ajo në mes të Uruguait dhe Portugalisë së Cristiano Ronaldo-së. Ky ishte një takim në mes të dy stileve të njëjta të lojës. Të dyja këto skuadra bazohen në mbrojtje të fortë dhe shpërthimin e sulmuesve të tyre. Përkundër stilit pragmatik të këtyre skuadrave loja ishte përplot me emocione.

Në fund mbrojtja e Uruguait arriti që të neutralizonte Ronaldon kurse në anën tjetër Edinson Cavani ishte i papërmbajtshëm duke i shënuar të dy golat e Uruguait. Mos të harrojmë se goli që e pësuan nga qendërmbrojtësi portugez Pepe ishte goli i parë që Uruguai e pësoi në këtë kampionat. Aspak keq dhe një bazë e mirë për të synuar titullin e kampionit.

Duhet theksuar se përkundër humbjes Protugalia mund të largohet me kokën lartë pasi që kjo skuadër dhe gjithçka në fushë mirëpo, në fund Uruguai ishte thjesht më i mirë se ata në këtë ndeshje dhe e merituan fitoren e tyre.

Spanja një tjetër dëshpërim

Një tjetër dëshpërim ishte paraqitja e Spanjës e cila më në fund e pagoi çmimin për largimin e trajnerit Lopetegui një ditë para fillimit të kampionatit. E tëra që Spanja arriti në fund ishte një barazim 1:1 me Rusinë për të humbur 3:4 në ekzekutimin e penalltive.

Mbase ndeshja më e mërzitshme në tërë këtë xhiro ishte ajo në mes të Kroacisë dhe Danimarkës. Fillimi i lojës u përcaktua nga dy situata të pazakonshme në futboll dhe që në minutën e katërt rezultati ishte 1:1. Mirëpo, që aty gjithçka e mori tatëpjetën. Kjo më shumë për shkak se Danimarka e kishte një plan të thjeshtë ekzekutimi i penalltive.

Kasper Schmeichel, i biri i portierit legjendar të Manchester United Peter Schmeichel, njihet për mbrojtjen e penalltive. Për një moment në minutën e 116 u duk sikur strategjia e tyre ishte më se e qëlluar pasi që Schmeichel arriti që të mbronte penalltinë e gjuajtur nga Luka Modric. Fundja pas 116 minuta lojë një ndër lojtarët më të mëdhenj të këtij kampionati dhe mbase aktualisht mesfushori më i mirë në botë nuk arriti të konvertonte dhe me këtë të vuloste fatinë danezëve përpara se të shkonin në penallti.

Subasic 4, Schmeichel 3

Nëse loja nuk pati emocione ekzekutimi i penalltive e kompensoi gjithçka. Tani e tërë vëmendja ishte tek dy portierët. Mirëpo ajo që askush nuk e priti ishte që portieri kroat Danijel Subasic të bëhej aq i pakalueshëm në portën e tij. Siç edhe pritej Schmeichel arriti që t’i priste dy penallti, mirëpo kolegu i tij kroat i priti tri dhe kështu ia siguroi Kroacisë çerekfinalen. Gjithsesi duhet theksuar edhe faktin se përkundër se vetëm pak minuta më herët e kishte humbur një penallti, Modric e gjuajti penalltinë e tretë për Kroacinë dhe shënoi pa asnjë problem. Çfarë klasi!

Ndonëse rezultati përfundimtar ishte 2:0 Brazili nuk e pati aspak të lehtë të luante kundër Meksikës e cila ishte një prej befasive më pozitive në këtë kampionat. Gjithsesi Brazili i trajnerit Tite e dëshmoi se nuk është një skuadër e zakonshme Braziliane. Përkundrazi, përkundër tërë talentit sulmues kjo skuadër dallon për një mbrojtje të çeliktë e cila i jep këtij ekipi një platformë solide për të luajtur qetë deri në shënimin e golit të avantazhit që aty Brazili nuk falin nëse e hap lojën kundër tyre.

Kush do ta fitojë çmimin Oskar Topin e Artë

Duhet theksuar se me largimin e Messit dhe Ronaldos nga botërori gara për Topin e Artë është plotësisht e hapur. Një prej kandidatëve për ta fituar atë është edhe super ylli i Brazilit Neymar. Mirëpo edhe nëse nuk ia del Neymar padyshim është pretendent serioz për çmimin “Oskar” për aktorin më të mirë.

Çfarë mund të thuhet për lojën Belgjikë – Japoni e cila përfundoi me rezultatin 3:2. Thua të jetë ky momenti kur kjo gjeneratë e artë e Belgjikës të arrijnë atë pengesën e tyre të padukshme dhe të realizojnë tërë potencialin e tyre si skuadër.

Kur të gjithë menduan se Belgjika do të eliminohej pasi që Japonia ishte duke udhëhequr 2:0 pas golave të shënuar nga Haraguchi në minutën e 48-të dhe Takashi Inui në minutën e 52-të, në minutën e 69-të ata kundërpërgjigjen me golin e Jan Vertonghen. Më pas në minutën e 74-të Marouane Feallini e barazoi rezultatin në 2:2.

Dramë në minutat e fundit

U duk sikur edhe kjo lojë do të shkonte në vazhdime. Mirëpo në minutën e fundit të kohës shtesë pas pritjes së një gjuajtjeje nga këndi portieri belg Courtois e nisi një kundërsulm të shpejt të cilin e përmbylli me sukses Naser Chadli.

Japonezët nuk e merituan që të largoheshin në këtë mënyrë nga ky kampionat por, ky është futbolli dhe loja vazhdon deri në fishkëllimin e fundit të referit. Krahas paraqitjes tejet dinjitoze të kombëtares së Japonisë ata u bënë shembull në tërë botën edhe për një veprim tjetër të tyrin. Pas përfundimit të lojës si lojtarët ashtu edhe tifozët japonez morën pjesë në pastrimin e ambienteve të stadiumit duke treguar kështu se si duhet të sillen kampionët e vërtetë.

Në ditën e fundit i erdhi radha edhe lojës Suedi – Zvicër të cilën mbase të gjithë ne e kemi pritur me më shumë padurim. Suedia edhe njëherë e dëshmoi se përkundër se nuk luajnë futboll spektakolar ata janë një ekip në gjendje fizike jashtëzakonisht të mirë që dinë të mbrohen dhe që janë një kundërshtar tejet i papërshtatshëm. Siç edhe pothuajse e zbuloi edhe Gjermania në xhiron e dytë të fazës së grupeve po të mos ishte ajo gjuajtja fantastike nga Toni Kroos.

Në fund Suedi – Zvicër 1:0, mirëpo edhe Zviceranët të udhëhequr nga çunat tanë Xhaka, Shaqiri, Behrami e Xhemaili mund të largohen kryelartë nga ky kampionat. Tek e fundit ata do të jenë të vetmit që do të mund të thonë se kanë barazuar me Brazilin e Neymar-it.

Anglezët e thyejnë tersin

Një tjetër ndeshje që u përcaktua nga penalltitë ishte ajo në mes të Kolumbisë dhe Anglisë. Kjo e fundit udhëhoqi deri në minutat shtesë mirëpo, një pakujdesi e vogël dhe Yeri Mina e shënoi golin e barazimit për ta çuar ndeshjen në vazhdime dhe më pas edhe në penallti. Në fund edhe Anglia arriti që të kalonte tersin e saj të penalltive.

Përpara ndeshjes me Kolumbinë Anglia ka luajtur në penallti në tri raste të tjera në botëror dhe që të tria herët ka humbur. Madje pas gjuajtjes së tretë dhe dështimit të Jordan Henderson që të shënonte gol u duk sikur mallkimi i anglezëve do të vazhdonte. Për fatin e tyre të mirë Mateus Uribe gjuajtësi i katërt i Kolumbisë ua ktheu nderin anglezëve duke e goditur traversën. Pas tij anglezët shënuan dhe e barazuan rezultatin. Në raundin e pestë portieri anglez Jordan Pickford e priti gjuajtjen e Carlos Bacca-së kurse Eric Dier shënoi për ta dërguar Anglinë në çerekfinale.

Emocionet vazhdojnë

Çiftet çerek finaliste janë këto: Uruguai-Francë; Brazil-Belgjikë; Suedi-Angli dhe Rusi-Kroaci kurse ndeshjet do të fillojnë të luhen ditën e premte dhe të shtunën. Ajo që mund të thuhet në fund është ta përsërisim edhe njëherë atë që është vërejtur që nga fillimi, nuk ka më skuadra të vogla dhe nuk ka favorit të mëdhenj. Kurse e dyta është se të gjithë çerek finalistët e kanë merituar të jenë aty dhe shpresojmë se do të vazhdojnë të na dhurojnë emocione sikurse deri tani.

 

WC 2018 LAST 16