NJE “PUSHTIM” MIQESOR I BONDSTEEL-IT

18.06.18 13:26


Ditën e shtunë më 16 qershor 2018 kampi ushtarak “Bondsteel” në komunën e Ferizajt, mirëpriti disa mysafirë shumë të veçantë. Ata ishin rreth 35 adoleshentë, 15 prej të cilëve ishin serb nga fshati Shillovë në Gjilan dhe 20 erdhën nga Shqipëria gjegjësisht nga Kukësi.

Gjatë vizitë së tyre të rinjtë fillimisht e dëgjuan një ligjëratë rreth NATO-së, historisë, rëndësisë dhe rolit të saj. më pas dita vazhdoi me një takim me ekipin e deminimit. Me këtë rast të rinjtë patën mundësinë që t’i provonin mjetet e ndryshme të këtij ekipi. Pas drekës të rinjtë patën mundësinë që të vizitonin repartin e helikopterëve dhe të shihnin për së afërmi njërin prej helikopterëve që ndodheshin aty. Dita përfundoi me lojëra të përbashkëta të cilat kishin për qëllim bashkëpunimin dhe zhvillimin e aftësive udhëheqëse.

Lavdërim Shehu drejtor i “Qendrës për Progres Rinor” nga Kukësi tha se kjo vizitë ishte nismë e tyre por, realizimi i saj u mundësua falë mbështetjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë. Vizita kishte qëllime të shumëfishta. Së pari ajo ishte në funksion të njohjes më për së afërmi me NATO-në dhe jetën e ushtarëve. Para se të vinin këtu të rinjtë e kësaj qendre kishin mësuar rreth NATO-së, rolit dhe qëllimit të kësaj organizate. Kurse qëllimi i dytë ishte shkëmbimi në mes të të rinjve.

“Duke qenë se qëllimi primar i kësaj vizite ishte që të rinjtë të mësonin më shumë për NATO-në dita jonë filloi me një ligjëratë teorike për këtë organizatë të cilën e mbajtën pjesëtarët amerikan të KFOR-it në Kosovë,” tha z. Shehu në lidhje me këtë vizitë. Ai vazhdoi më tutje duke e theksuar rëndësinë që aktivitetet e tilla e kanë për të rinjtë: “Kur mungon komunikimi do të mbizotërojnë stereotipet. Për shumicën e të rinjve të ardhur nga Kukësi kjo është hera e parë që janë takuar me bashkëmoshatarët e tyre serb. Ndonëse, tre apo katër prej tyre tashmë kanë pasur që të shkojnë për vizita në Serbi por, edhe të mirëpresin vizitorë nga Serbia në Kukës. Mënyra më e mirë për t’i luftuar stereotipet është nxitja e komunikimit.”

Disa fjalë për këtë vizitë i kishte edhe Tatjana Stojanovic nga fshati Shillovë në komunën e Gjilanit. Sipas saj qëllimi i parë i kësaj vizite ishte forcimi i paqes, afrimi mes të rinjve, shoqërimi dhe njohja e tyre mes veti, të cilat mund të shërbejnë si pikënisje për ndërtimin e bashkëjetesës në tërë rajonin e Ballkanit. Sipas saj në këtë mënyrë ne e ndërtojmë një të ardhme më të ndritur e cila do të jetë e dobishme për të gjithë ne.

 

 

VIZITA BONDSTEEL 2018