ASTEROID 45687 Pranverahyseni = 200 EK 140

29.03.18 07:17


    Shpesh në bisedat tona private ne e kemi dëgjuar e mbase edhe kemi përmendur argumentin se e kemi të vështirë që të realizojmë diçka sepse mungojnë kushtet. Zonjusha Pranvera Hyseni, është një studente e re nga Vushtrria, e cila është shembull tipik pse ky argument nuk është aspak i qëndrueshëm. Znjsh. Hyseni studion për gjeografi në Universitetin e Prishtinës. Arsyeja pse ajo e ka zgjedhur këtë degë ndërlidhet me pasionin e saj të vërtetë: Astronominë.

    Në Prishtinë nuk ekziston dega apo departamenti i studimeve për astronomi. Në fakt, ajo kryesisht mësohet si lëndë në kuadër të studimeve për gjeografi. Krahas kësaj, në Kosovë nuk ekziston as edhe një observator i vetëm nga ku astronomët apo amatorët e kësaj fushe do të mund të vëzhgonin qiellin dhe trupat e ndryshëm qiellor. Madje, edhe nëse dëshironi të blini një teleskop do të keni vështirësi. Thënë shkurt “mungojnë kushtet” për një aktivitet të tillë. Mirëpo, kjo nuk vlen për Pranverën. Nëse do të duhej, mënyra më e mirë për ta përshkruar këtë zonjushe të re është se kur bëhet fjalë për astronominë, pasionin e jetës së saj, kjo vajzë nuk e pranon përgjigjen JO. Rezultati i kësaj vendosmërie është se sot ajo është kryetare e organizatës “Astronomy Outreach of Kosova”. Kjo organizatë merret me popullarizimin e astronomisë në Kosovë përmes vizitave nëpër shkolla si dhe organizimit të kampeve të astronomisë për vëzhgimin e trupave qiellor. Mjetet e tyre të punës ajo i ka siguruar përmes donacioneve të ndryshme nga mbarë bota të cilat janë siguruar përmes kontakteve në rrjetin social Facebook.

   Për më tepër gjatë vitit 2017 znjsh. Pranvera pati rastin që të realizonte një pjesë të ëndrrës së saj në skenën më të madhe të astronomisë. “Vitin e kaluar unë pata rastin që të zhvilloja një vizitë shkencore në dy qendra të NASA-së. Kjo është bërë e mundur falë kontakteve të mia të rregullta me shumë astronautë përmes rrjetit social Facebook. Pas shumë viteve të kontakteve me ta si dhe punës dhe vullnetit që ne e kemi, ata e kanë mundësuar një vizitë për ne atje. Mirëpo, për shkak të kostos shumë të lartë ky udhëtim është mundësuar për vetëm një person. Kështu, unë kam qëndruar atje 4 muaj dhe kam udhëtuar në 17 shtete të SHBA-ve. Krahas konferencave dhe qendrave vrojtuese që i kam vizituar e kam pasur rastin që të vizitojë edhe dy qendra të NASA-së: ‘Kennedy Space Center’ në Florida dhe ‘Marshall Space Flight Center’ në Alabama,” theksoi znjsh. Pranvera. Ajo më tutje theksoi se kjo vizitë ka qenë një ëndërr e realizuar pasi që NASA është agjencia hapësinore më e madhe dhe më e suksesshme e botës.

    “Aty i kam parë për së afërmi të gjitha makineritë me të cilat janë realizuar udhëtime historike në hapësirë si dhe jam takuar edhe me astronautë të NASA të cilët kanë pasur mundësinë që të shkelin në sipërfaqen e hënës të sjellin mostra nga atje. Në mesin e tyre është Astronauti Michael Collins i cili ka qenë anëtar i ekuipazhit Apollo 11 së bashku me Neil Armstrong dhe Buzz Aldrin. Pastaj, jam takuar me Charlie Duke i cili ka shkelur në hënë me misionin Apollo 16 si dhe shumë astronautë të tjerë edhe nga misionet e tjera si: ‘Space Shuttle’ dhe ‘Skylab’,” shtoi znjsh. Pranvera. Tërë kjo këmbëngulje dhe përkushtim për t’i realizuar ëndrrat e saj u kurorëzua në muajin nëntor 2017 kur një asteroidi iu vu emri i Pranvera Hysenit. Kjo e fundit e quan këtë nderin më të madh dhe tregon se ishte astronomi Richard Hell nga qendra “Catalina Sky Survey” ai i cili kishte propozuar që emri i saj t’i vihej një asteroidi. Ky propozim u shqyrtua nga Qendra “Minor Planet Center” e cila e bën emërimin e trupave qiellor si dhe nga Unioni Ndërkombëtar i Astronomëve në Universitetin e Harvardit. Pas një periudhe gjashtë mujore është vlerësuar që asteroidi 45687 të quhet Pranverahyseni = 200 EK 140. Këto janë vetëm disa prej arritjeve që znjsh. Pranvera Hyseni dhe Organizata Astronomy Outreach of Kosovo i kanë arritur në një vend ku “mungojnë kushtet”.

    Kurse, vet Pranvera pati një porosi shumë të thjeshtë për të gjithë të rinjtë në Kosovë dhe sidomos vajzat: “të gjitha femrat në Kosovë duhet që të vazhdojnë dhe t’i ndjekin ëndrrat e tyre. Zërat që sot tentojnë t’i ndalojnë dhe t’i pengojnë në rrugëtimin e tyre do të jenë të parët që do të vijnë t’i urojnë pasi që të kenë arritur sukses. Këtë duhet ta bëjnë jo vetëm për vete por, për të gjitha vajzat në Kosovë dhe për brezat e ardhshëm. Pra unë i lus që të kenë përkushtim dhe të bëhen frymëzim dhe shembull për të gjithë shoqërinë.”

ASTEROID 45687 Pranverahyseni = 200 EK 140