HALIME DHE ERZEN BEQIRI DY YJE NE NGRITJE TE XHUDOS

20.02.18 07:49


   Të jesh i pari në një aktivitet krahas famës dhe mirënjohjeve bart me vete edhe përgjegjësi. Kjo pasi që suksesi i arritur vetvetiu na bën edhe model për të tjerët dhe sidomos gjeneratat e reja. I tillë është rasti i kampiones Majlinda Kelmendi, pasi që ajo sot është një shembull për qindra të rinj e të reja anekënd Kosovës të cilët kanë filluar të ushtrojnë xhudo. I tillë është edhe rasti i Halime dhe Erzen Beqirit nga fshati Akrashticë në Komunën e Vushtrrisë.

   Halimja është vetëm 10 vjeçare dhe është nxënëse në klasën e pestë kurse vëllai i saj Erzeni është dy vjet më i madh. Përkundër se Erzeni është më i madh në moshë ishte Halimja që filloi të stërviste e para xhudo. “Majlinda ka qenë frymëzimi im. Unë e kam përcjellë atë dhe i kam shikuar pothuajse të gjitha betejat e saj. Më pas ishte xhaxhai im që më dërgoi në stërvitjen e parë dhe që aty tash e tri vite gjysmë nuk e kam ndërprerë asnjëherë stërvitjen,” tregon Halimja.

   Në anën tjetër, Erzeni thotë se fillimisht atij i pëlqente më shumë gjimnastika mirëpo, duke qenë se ai shkonte rregullisht me babanë e tij në stërvitjet e motrës në Mitrovicë, atij gradualisht filloi t’i lindte dashuria për këtë sport. Sot motër e vëlla çdo ditë e nisin në orën gjashtë të mëngjesit me stërvitje në vrap, gjimnastikë, shtrirje dhe relaksim të muskujve dhe trupit. Ata thonë se për shkak të angazhimeve të tjera aktualisht nuk mund të zhvillojnë stërvitje të dytë çdo ditë andaj duhet të mjaftohen me stërvitjet e rregullta në klubin e tyre. Një regjim i tillë nuk është aspak i lehtë posaçërisht kur e kemi parasysh se edhe në shkollë që të dy janë nxënës shembullor.

   Motër e vëlla thonë se asgjë nuk është e vështirë për t’u arritur kur ke vullnet dhe përkushtim në punë. Puna e zellshme tani ka filluar që t’i jap rezultatet e saj. Halimja dhe Erzeni kanë marrë pjesë me mjaft sukses në një mori turnesh kombëtar dhe ndërkombëtar në xhudo. Këtë e dëshmojnë edhe medaljet e shumta që ata i kanë fituar. Kur i pyetëm se cilat prej tyre i kanë më për zemër Halimja e veçoi medaljen e artë të cilën e ka fituar në turneun ndërkombëtar të xhudos në Rozhajë të Malit të Zi. Ajo thotë se këtë e medalje e ka për zemër jo vetëm sepse kishte dalë e para por, edhe për shkak të teknikës që ajo kishte arritur të përdorte për të mposhtur kundërshtaret e saj. Kurse, Erzeni e veçoi fitoren në turneun ndërkombëtar të xhudos “Adem Jashari” në Prishtinë. Suksesi i tyre mbase mund të bëjë që për një çast të harrojmë se ata janë ende shumë të rinj në moshë dhe po aq sa për sportin kanë nevojë edhe për shoqëri. Në lidhje me këtë ata shtuan “në shoqëri jemi njësoj siç kemi qenë para se të fillojmë të merremi me xhudo. Kjo do të thotë se sjellja jonë nuk ka ndryshuar. Pastaj, fakti se ne merremi me një sport luftarak nuk do të thotë se kemi prirje për të qenë të dhunshëm. Përkundrazi, për ne xhudo është një sport dhe tërë sakrificat dhe puna jonë kanë të bëjnë me ngritjen e emrit tonë dhe arritjen e majave të këtij sporti shumë të vlerësuar, ashtu siç ka bërë edhe Majlinda Kelmendi.”

   Suksesi gjithmonë kërkon edhe mbështetje. Në rastin e Halimes dhe Erzenit mbështetja kryesore vjen nga prindërit e tyre të cilët i mbulojnë pjesën më të madhe të të gjitha shpenzimeve të tyre në lidhje me xhudon. Krahas tyre një përkrahje shumë e çmuar vjen edhe nga shkolla dhe mësimdhënësit të cilët tregojnë shumë mirëkuptim kur këto dy shpresa të xhudos së Kosovës kanë nevojë që të mungojnë në shkollë. Në anën tjetër, këtë mirëkuptim Halimja dhe Erzeni e shpërblejnë me punë dhe angazhim maksimal duke u siguruar që suksesi i tyre të jetë maksimal edhe në mësime.

   Në fund ata patën një porosi të thjeshtë për të gjithë bashkëmoshatarët e tyre: “Ne i ftojmë të gjithë të rinjtë që të merren sa më shumë me sport por pa e anashkaluar mësimin. Madje, edhe nëse nuk merren me sport në asnjë mënyrë nuk duhet të reshtin së mësuari dhe punuari për një të ardhme më të mirë.”

HALIME DHE ERZEN BEQIRI DY YJE NË NGRITJE TË XHUDOS