MBAHET ME SUKSES TURNEU I PARE NDERKOMBETARE I BASKETBOLLIT PER FEMRA NE KOSOVE

14.02.18 08:03


    Dje në orën 16:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë filloi turneu i parë ndërkombëtarë i basketbollit për femra në Kosovë. Në këtë turne morën pjesë katër skuadra: “Probet Prishtina” e cila është nikoqire dhe organizatore e këtij turneu, “Tirana” nga Tirana, “Nikshiq” nga Mali i Zi dhe “Rilski Sportist” nga Bullgaria.

   Në lidhje me këtë turne trajneri i skudrës nga Prishtina, Fidan Shatri theksoi se kjo është hera e parë që mbahet një turne i tillë në Kosovë dhe shumë i mirëseardhur dhe se për këtë organizim janë meritor klubi i tij së bashku me Federatën e Basketbollit të Kosovës si dhe Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Edhe kapitenia e skuadrës nikoqire, Ermelinda Shatri, u shpreh e kënaqur për organizimin e këtij turneu pasi që sipas saj është një mundësi e mirë për të parë se si qëndrojnë ato në krahasim me skuadrat nga vendet e rajonit.

   Elvira Dushku, Sekretare e Përgjithshme e Federatës së Basketbollit të Kosovës, në lidhje me këtë organizim tha se nisma ka ardhur nga klubi “Probet Prishtina”, gjegjësisht kryesia e këtij klubi të cilët edhe e kanë marrë përsipër organizmin. “Pas analizimit të propozimit, ne në federatë e kemi parë atë si një mundësi shumë të suksesshme për promovimin e basketbollit të vajzave në Kosovë. Në këtë mënyrë i nxisim sponsorët, komunat dhe vajzat drejt këtij sporti pasi që dihet se në të kaluarën, nga viti 1999 deri në vitin 2007 ne kemi pasur nivel më të lartë dhe përkrahje më të madhe. Për fat të keq, duke filluar nga viti 2007 e këtej, basketbolli i femrave është lënë anash. Mirëpo, tani është koha që të ndryshojmë dhe t’ua ofrojmë vajzave mundësinë që të merren me këtë sport jo vetëm si hobi por, edhe në mënyrë profesionale,” shtoi znj. Dushku. Ajo vazhdoi më tutje duke iu bërë thirrje vajzave por, edhe prindërve dhe arsimtarëve të edukatës fizike që t’i orientojnë vajzat në basketboll dhe sport në përgjithësi pasi që me sport mund të arrihet shumë. Me këtë rast ajo rikujtoi se ajo vet është një ish basketbolliste e cila pas përmbylljes së karrierës në vitin 2007 ka punuar si gazetare sportive. Më pas nga viti 2015 ka filluar të punojë në federatë kurse nga viti 2017 është Sekretare e Përgjithshme.

    Ne patëm rastin që të bisedonim edhe me një nga lojtarët mysafire në këtë turne. Ajo ishte Nikolina Popoviq, e cila me origjinë është nga Mali i Zi por, që tash e katër vite luan në klubin e basketbollit “Tirana”. Gjatë bisedës me ne, kjo e fundit u shpreh se nuk kishte shumë njohuri për basketbollin e femrave në Kosovë. Mirëpo, sipas saj ky turne ishte në rast i mirë për të luajtur, shoqëruar dhe njohur Prishtinën më mirë, pasi që kjo ishte hera e parë që ajo vizitoi Prishtinën.

   Ditën e parë të turneut u zhvilluan dy lojë. Loja e parë ishte mes “Tiranës” dhe “Nikshiqit”. Ndeshja përfundoi me fitore të ngushtë të klubit malazez. Duhet theksuar se “Tirana” erdhi me mungesa të mëdha pasi që gjashtë prej lojtareve të saj nuk kishin ardhur dot për shkak të grumbullimit me përfaqësuesen e Shqipërisë. Gjithsesi, kjo nuk ishte aspak pengesë që të dyja skuadrat të paraqisnin lojë shumë të bukur dhe të shpejtë për kënaqësinë e numrit modest të shikuesve që kishin ardhur për ta ndjekur këtë turne.

    Pa vonuar shumë pas lojës së parë radhën e kishin të paraqiteshin vajzat e klubit nikoqir të Prishtinës kundër “Rilski Sportist” nga Bullgaria. Edhe kjo ishte një lojë shumë e bukur me shumë aksione dhe lëvizje të bukura të cilat natyrisht u përcollën me brohoritjet e publikut vendas. Ndeshja përfundoi me fitoren e Prishtinës me 76:72.

  Ashtu siç pritej, organizimi i këtij turneu tregoi se Kosova ka cilësi për sa i përket basketbollit të femrave dhe se nuk është shumë larg vendeve të rajonit. Sigurisht, edhe më premtues është fakti se në përmbyllje të turneut u premtua se ky nuk do të ishte një aktivitet i izoluar por, se organizimet e tilla do të mbaheshin sërish. Një tjetër porosi që doli nga të gjithë personat me të cilët patëm rastin që të bisedonim ishte që të vajzat dhe djemtë e rinj të angazhohen në sport e sidomos në basketboll pasi që sporti përveç që ndihmon në krijimin e karakterit të shëndosh ai ofron mundësi për zhvillimin me sukses të karrierës profesionale.

TURNEU I BASKETBOLLIT PER FEMRA - 13.02.2018