GJENERAL MAJOR SALVATORE CUOCI -

01.02.18 09:56


Kur e takojmë një gjeneral ushtrie, zakonisht nuk mund të shmangim ndjenjën e respektit më të thellë. Fundja, grada e tyre është tregues i qartë i punës dhe arritjes së tyre. Për këtë arsye, është e lehtë të harrohet se përpara se të jenë gjeneral, ata janë qenie njerëzore që kanë familje dhe ndjenja. Duke pasur këtë parasysh, Revista For You pati nderin dhe kënaqësinë që të takonte gjeneral major Salvatore CUOCI, Komandantin e 22-të të KFOR-it, dhe të zhvillonte një intervistë me të. Nëse dëshironi që të dini se si ishte fëmijëria e tij dhe se cilat janë disa prej tipareve të tij personale, ne ju ftojmë që të lexoni intervistën ne vijim.

• Cila është gjëja e parë që ju vjen në mend kur mendoni për fëmijërinë tuaj?

Qetësia dhe ngazëllimi janë dy gjërat e para që më vijnë ndër mend sa herë që mendoj për fëmijërinë time. Qetësia: sepse unë jam rritur në një ambient shumë të qetë. Ndonëse familja ime nuk ishte edhe aq e pasur, prindërit e mi gjithmonë janë munduar maksimalisht që të më krijojnë një fëmijëri të lumtur, dhe unë gjithmonë e kam ndier dashurinë e tyre. Ngazëllimi: sepse jam rritur në disa vende të ndryshme dhe fëmijëria ime ishte mjaft aventuriere. Në fakt, im atë ishte kapter i parë i “Karabinierëve” (Forca Policore Ushtarake Italiane) dhe për shkak të punës së tij familja ime është zhvendosur disa herë në qytete të reja. Me kujtohet çdo herë që do të shpërnguleshim, mua më ngazëllente tej mase ideja që do të takoja njerëz të rinj dhe do të krijoja miq të rinj.

• Cili është kujtimi më i mirë i fëmijërisë suaj?

Koha që e kam kaluar si "skautist" është padyshim kujtimi më i mirë nga fëmijëria ime. Unë kam qenë gjithmonë një fëmijë aventurier dhe më pëlqenin aktivitete të ndryshme sportive dhe lojërat në të cilat mund të angazhohesha sidomos gjatë verës. Të qenit vetëm dhe larg shtëpisë, më bënte të ndihesha i pavarur dhe më i madh në moshë... ishte shumë bukur!

• Çka ju mungon më shumë nga fëmijëria juaj?

Gjithmonë më ka pëlqyer sporti. Në jetën time jam marrë me disa sporte por, volejbolli ishte dhe mbetet sporti im më i dashur. Kam filluar të merrem me volejboll në moshë shumë të re dhe luaj sa herë që mundem. Për fat të keq, tani nuk kam shumë kohë për këtë. Kështu që kur mendoj për fëmijërinë time pa dyshim që më së shumti më mungojnë lojërat e volejbollit me miqtë e mi; ato zgjasnin me orë të të tëra... ne nuk mjaftoheshim kurrë!

• Kur jeni bindur se jeta ushtarake është për ju?

Siç e thashë, babai im ishte kapter i parë i “Karabinierëve” kështu që uniforma ka qenë gjithmonë pjesë e jetës sime. Ashtu si shumica e fëmijëve edhe unë kam ëndërruar që një ditë të bëhem si babai im. Ëndrrat e mia u bënë realitet kur isha tetëmbëdhjetë vjeçar pasi që u pranova në Akademinë Ushtarake. Besoj se e kam bërë këtë zgjedhje sepse të qenit ushtar do të thotë të kesh jetë aventuriere, dhe në të njëjtën kohë të bësh diçka mirë për vendin tënd.

• Cilat janë disa anë pozitive dhe negative të jetës ushtarake?

Mua më pëlqen shumë të qenët ushtar prandaj, nuk është e lehtë për mua që të gjej anë negative të jetës ushtarake. Sidoqoftë, nëse duhet, pa dyshim do të thosha se shërbimi si oficer ushtarak është shumë kërkues dhe nganjëherë është e vështirë që të gjesh kohë për të kaluar me familjen tënde. Duhet të gjesh baraspeshën dhe të mos e sjellësh punën dhe problemet e tua në shtëpi. Për gruan dhe fëmijët e mi, unë jam burrë dhe baba prandaj unë jam mësuar që të lë gjeneralin jashtë shtëpisë. Në anën tjetër, jeta ushtarake ofron kaq shumë mundësi. Ju i shërbeni vendit tuaj dhe jepni kontribut të mirëfilltë për të ruajtur paqen dhe stabilitetin në mbarë botën. Krahas kësaj, ju do të ndiheni si protagonist sepse kur ushtarëve iu kërkohet që të ndërhyjnë, ata gjithmonë duhet të japin maksimumin.

• Po të mos ishe ushtar, çfarë profesioni tjetër do të kishit zgjedhur?

Po të mos isha ushtar do të më pëlqente jashtëzakonisht shumë që të isha inxhinier detar por, jo për të ndërtuar anije. Unë do të kisha dëshirë që të dizajnoja porte detare. Kjo është diçka që më fascinon shumë pasi që unë e kam vijuar shkollën e mesme në Napoli dhe atje e kam zbuluar se një pjesë e Vullkanit të Vezuvit në Napoli është selia e universitetit të vetëm në Evropë ku studentët mund të shkollohen si inxhinier detar që specializohen në dizajnin e porteve detare.

• Cili është libri dhe shkrimtari juaj i preferuar?

Shkrimtari im i preferuar është Ken FOLLETT kurse libri im i preferuar i shkruar nga ai është: “The Pillars of the Earth” (Shtyllat e Tokës). Ky është padyshim një libër të cilin do t’ua sugjeroja të gjithëve.

• Cili është filmi dhe aktori/ja i/e preferuar?

Më pëlqen shumë filmi “Blade Runner” për atmosferën dhe mënyrën se si e pasqyron të ardhmen. Ky është një film i vjetër por, mua më duket ende shumë modern. Për sa i përket aktorit tim të preferuar, do të thosha se është Harrison Ford... për rolin e tij në “Blade Runner”, në “Indiana Jones”, “Star Wars”, e kështu me radhë...

• Cila është muzika dhe artisti/ja i/e preferuar?

Në fakt dëgjoj lloje të ndryshme të muzikës por, aktualisht muzikanti im i preferuar është Ludovico Einaudi, një pianist dhe kompozitor italian. Ai është autori i shumë kolonave zanore të famshme dhe unë besoj sa ai vërtetë e përfaqëson versionin më të ri të muzikës klasike. Mua më pëlqen mënyra se si luan me tingujt për të krijuar një atmosferë magjike e cila më ndihmon që të koncentrohem kur duhet të zgjidhë probleme të vështira.

• Cili është sporti sportisti/ja apo klubi i juaj i preferuar?

Si italian që jam, natyrisht që duhet të përgjigjem se futbolli është sporti im i preferuar.. sidoqoftë, unë nuk jam mbështetës i ndonjë klubi të veçantë dhe me siguri nuk radhitem në mesin e tifozëve të Klubit të Futbollit të Juventus, ndonëse shumë njerëz e mbështesin...

• Për mendimin tuaj, cili është vendi më i mirë për ta vizituar?

Më pëlqen shumë Islanda sepse shumë pjesë të këtij vendi janë ende të egra dhe ofrojnë mundësinë për të provuar emocionet e thella të një udhëtimi aventuresk.

• Cili është ushqimi dhe pija më e mirë?

Duke qenë se jam italian e kam shumë të vështirë të përgjigjem në këtë pyetje. Ju e dini se Italia është shumë e njohur për kuzhinën dhe traditat e saj të jashtëzakonshme të gatimit. Duke pasur këtë parasysh, sa i përket ushqimit dhe pijeve, më duhet të them se jam shumë kurreshtar dhe më pëlqen që të provoj specialitetet tipike të çdo vendi që e zbuloj. Nëse rastis që të dëshpërohem, gjithmonë mund të llogaris në pastat e shijshme, sapo të kthehem në shtëpi.

• Çfarë mendimi keni për kafshët?

Për shkak të jetës ushtarake, unë shpesh duhet të lëviz nga një vend në një tjetër dhe për shkak të kërkesave të punës nuk kam kohë të lirë të mjaftueshme që të kem një manar. Për këto arsye unë nuk e kam një të tillë. Unë jam i bindur se manari kërkon dhe e meriton kujdesin maksimal. Më pëlqejnë shumë kuajt - pasi që e kam pasur privilegjin që të shërbejë një njësi të kalorësisë - dhe qentë tanë ushtarak, të cilët janë fantastik për të na ndihmuar në gjetjen e eksplozivëve dhe substancave të tjera të rrezikshme. Ata janë kafshë vërtetë trime!

• Cili është momenti juaj i parapëlqyer i vitit 2017?

Viti 2017 ka qenë një vit shumë i rëndësishëm si në aspektin personal edhe në atë profesional. Në aspektin personal unë e kam festuar 25 vjetorin e martesës dhe im bir e ka marrë diplomën universitare në inxhinieri kibernetike. Profesionalisht, që nga 15 nëntori, unë e kam nderin dhe privilegjin që të shërbejë si Komandanti i 22-të i Forcës së Kosovës.

• Çka ju pëlqen më shumë: interneti apo mediat tradicionale?

Natyrisht, interneti është media ime e preferuar, pasi që është një pjesë thelbësore e realitetit tonë. Bota po ndryshon me hapa të shpejtë sot dhe interneti është mënyra më e mirë për ta përcjellë atë. Ai është një mjet i fuqishëm i cili ofron mundësi të pabesueshme dhe iu ofron njerëzve që të ruajnë kontaktet kudo që janë, kurdo që dëshirojnë; sidoqoftë, ai duhet të përdoret me kujdes. Është e rëndësishme që të shikojmë se me kë po lidhemi në internet. Nëse nuk jemi të kujdesshëm informacioni ynë mund të komprometohet gjatë ndërveprimeve më të pafajshme.

• Jeni përdorues i rrjeteve sociale dhe sa kohë iu kushtoni atyre?

Nuk kam profil në Facebook, nëse po i referoheni kësaj. Njëkohësisht, unë kam shumë miq në mbarë botën dhe unë i ruaj kontaktet me ata përmes disa prej aplikacioneve më të popullarizuara për porosi të cilat janë aktualisht në përdorim me telefonat e mençur...

• Cila është porosia e juaj për rininë e Kosovës?

Tregohuni të përgjegjshëm dhe shikoni gjithmonë në të ardhmen sepse, ju jeni e ardhmja e këtij vendi, dhe kjo nënkupton përgjegjësi të mëdha. Punoni dhe studioni shumë sepse arsimimi i mirë dhe përgatitja e fortë profesionale janë elementet kyçe për ndërtimin e të ardhmes suaj. Mos i shikoni sfidat si probleme por, si mundësi për të gjetur zgjidhje të cilat do ta përmirësojnë jetën tuaj, të komunitetit dhe vendit tuaj. Kjo është mundësia e juaj për ta bërë Kosovën të fuqishme.

COMKFOR SLAVATORE CUOCI