EKSPOZITA HUMANITARE “EXPLORE KOSOVO”, UNIFIKOI VECANTITE ARTISTIKE TE KATER FOTOGRAFEVE

11.12.17 12:35


Bukuritë nga pjesë të ndryshme të Kosovës, ishin bashkuar në një hapësirë të vetme, në ekspozitën humanitare “Explore Kosovo”, që u hap në Prishtinë. Kjo ekspozitë theksonte veçantitë artistike të katër fotografëve të shquar, të cilët kishin bashkuar punën e tyre për qëllim humanitar e artistik.

Fahredin Spahija, Bujar Gashi, Arben Llapashtica dhe Arben Islami sollën fotografitë të cilat ngërthenin peizazhe, bukuria e të cilave ishte theksuar me mjeshtri të rrallë përmes aparatit të këtyre katër artistëve.

Të ardhurat e kësaj ekspozitë kishin një destinacion humanitar, për t’i ndihmuar fëmijët dhe të rriturit në nevojë. Mjetet e mbledhura nga shitja e fotografive do të shpërndahen përmes shoqatës angleze “The Ideas Partnership” e cila është një nga mbështetësit e kësaj ekspozite.

Ekspozita e artit fotografik “Explore Kosovo”, ka qenë ide të cilën fotografi Bujar Gashi e kishte bartur për shumë kohë me vete, ndërsa për ta sjellë edhe më të fuqishme këtë ekspozitë, ai kishte ftuar edhe tre kolegë të tjerë që t’i bashkohen me punimet e tyre artistike.

“Ka qenë një ide të cilën e kam pasur shumë më herët, por nuk kam dashur që ta sjellë i vetëm. Kam dashur që në këtë ekspozitë t’i mbledh disa fotografë të cilët i japin forcë dhe ngjyrë ekspozitës. Nuk besoj se këtë mund ta bënte dikush më mirë se Fahredin Spahija, Arben Islami dhe Arben Llapashtica. Kam gjetur përkrahje tek ta”, tha fotografi Gashi.

Vizitorët drejtonin sytë tek fotografitë, duke u takuar me veçantitë artistike të fotografëve, mirëpo pa u ndeshur me emrat e tyre. Vetëm ata që kishin shijuar edhe më parë punën e tyre, arrinin të identifikonin pronësinë e fotografisë.

 

EXPLORE KOSOVO 2017