FILLON EDICIONI I DYTE I FESTIVALIT ‘KOSOVA BRASS’

01.12.17 12:27


Në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare të Prishtinës, vjen edicioni i dytë i festivalit “Kosova Brass”. Ky edicion mbledh rreth vetës emra të njohur botëror dhe sjellë aktivitete të ndryshme.

Instrumentistët pjesëmarrës sivjet në “Kosova Brass” vijnë nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Republika Çeke dhe Amerika. Në mesin e tyre është dhe trumpetisti me renome botërore, gjermani Otto Sauter i cili do të prezantohet para publikut tonë me Piccolo Trumpetë i shoqëruar nga kuarteti i harqeve i udhëhequr nga violinisti jonë Visar Kuçi.

“Falë angazhimit dhe punës së komunitetit të muzikës në organizimin e aktiviteteve, koncerteve dhe festivaleve të ndryshme në vitet e fundit në vendin tonë është shënuar një zhvillim i konsiderueshëm i muzikës artistike. Tërë kjo ka pasur një ndikim tejet pozitiv edhe në krijimin, motivimin dhe zhvillimin e kuadrove në fusha të ndryshme të artit muzikor. Si nevojë e domosdoshme e kohës edhe artistët e instrumenteve frymore të tunxhit, vitin e kaluar për herë të parë në Kosovë, kemi organizuar festivalin i cili është i fokusuar kryesisht në instrumentet dhe ansamblet e tunxhit”, kanë treguar zyrtarët e festivalit.

Festivali edhe këtë vit, rëndësi të veçantë do t’i kushtoj studentëve dhe nxënësve të tunxhit në vend. Në kuadër të festivalit, gjatë gjithë kohës sa zgjatë ai, për studentët do të organizohen master-klasa me pjesëmarrës të festivalit.

Mbrëmja e parë e festivalit nisi më 30 nëntor me fillim në ora 19:00 në Amfiteatrin e Bibliotekës Universitare, kurse festivali do të jetë i hapur deri më 18 dhjetor të këtij viti.

 

KOSOVA BRASS 2017