KOSOVA PRANOHET NE SEE CINEMA NETWORK

13.11.17 13:30


Kosova sapo iu bashkangjit rrjetit më të madh të fondeve të filmit në Ballkan, SEE Cinema Network.

Ishte Asambleja e Përgjithshme e South Eastern Europe Cinema Network që ajo që e mori këtë vendim. Kështu, tani e tutje përmes Qendrës Kinematografike të Kosovës, edhe Kosovës iu hapën dyert që të jetë pjesë e këtij rrjeti.

SEE Cinema Network është themeluar në vitin 2000 dhe është rrjet i shteteve të Evropës Juglindore që synon zhvillimin e bashkëpunimit në mes të profesionistëve të filmit dhe shteteve anëtare të saj duke mbështetur zhvillimin e bashkë-produksioneve ndërkombëtare dhe prodhimin e filmave të shkurtër.

Qëllimi kryesor i SEE është promovimi dhe zhvillimi i industrisë filmike kombëtare të secilit vend pjesëmarrës për të forcuar bashkëpunimin dypalësh dhe shumëpalësh në mes të anëtarëve të rrjetit.

Drejtori i QKK-së Arben Zharku, i cili ishte i pranishëm në Asamble dhe e mbrojti aplikimin e Kosovës në këtë rrjet u shpreh: “Anëtarësimi në SEE përveç që krijon mundësi të barabarta për projektet filmike kosovare me projektet e rajonit, gjithashtu krijon lidhje të fuqishme në mes të filmbërësve tanë dhe atyre nga rajoni. Ky anëtarësim është shumë i rëndësishëm për kinematografinë tonë, pasi që është pikënisje e anëtarësimeve me shpresën që Kosova të bëhet pjesë e fondit evropian më të madh të bashkëprodhimit – Eurimages. Gjithashtu ne i falënderojmë të gjitha vendet e rajonit për përkrahjen dhe krijimin e mundësive të reja për filmbërësit kosovar.”

Me pranimin në SEE, projektet filmike kosovare do të kenë mundësinë që të aplikojnë për zhvillimin e filmit të metrazhit të gjatë artistik dhe për subvencionim e filmave të metrazhit të shkurtër, ndërsa në të ardhmen pritet që SEE të përkrah edhe projekte filmike të metrazhit të gjatë.

 

SEECN 2017