“MINI MARATONA HUMANITARE- VRAPO BABADIMER” – EDICIONI II

23.10.17 13:14


Iniciativa tashmë tradicionale, maratona humanitare e fund vitit "Vrapo me Babadimra- kontribuo për familjet në nevojë" edhe këtë vit organizohet nga OJQ "Projekti 5Cent". Qëllimi kryesor i kësaj iniciative është rritja e donacioneve për t’i ndihmuar familjet e varfra në Kosovë me rastin e festave të fund vitit.

“Të gjitha mjetet e mbledhura gjatë këtij aktiviteti do të ndahen për familjet në nevojë. Vitin e kaluar kemi ndihmuar gjithsej 60 familje. Për mjetet e mbledhura dhe të shpërndara do të mbahet llogari transparente”, shpjegon Jusuf Islami, themelues i OJQ-së “Projekti5cent”.

Si qëllim tjetër të kësaj iniciative, Jusuf Islami e thekson vënien në pah të shpirtit solidar të qytetarëve të Kosovës në prag të festave të fund vitit si dhe promovimin e Kosovës në mediat ndërkombëtare. “Maratona e vitit të kaluar është shfaqur në mediat më të mëdha botërore siç janë CNN, BBC, Euro News si dhe në shumë portale botërore dhe të gjitha mediat vendore. Pas një kohe të gjatë Kosova po promovohej në këto media me lajme të mira”, shton Islami.

Organizimi i maratonës synon krijimin e mjeteve nga shitja e kostumeve të babadimrave për pjesëmarrës në maratonë, pas së cilës, me ato mjete blihen furnizime me ushqime dhe gjëra të nevojshme për familjet në nevojë.

“Lista e familjeve në nevojë sigurohet nga Ministria për Punë dhe Mirëqenie Sociale. Vlen të ceket që këtë vit, shitja e kostumeve të Babadimrit bashkë me numrat pjesëmarrës do të bëhet në të gjitha qytetet kryesore të Kosovës”, përfundon Islami.

Shitja e këtyre kostumeve fillon nga data 17 nëntor deri ne ditën kur do të mbahet mini-maratona humanitare, më 17 dhjetor 2017. Vitin e kaluar, në këtë maratonë morën pjesë rreth 300 babadimra të shoqëruar nga fëmijët dhe rinia, kurse organizata joqeveritare në fjalë, këtë vit synon të grumbulloj rreth 1500 babadimra.

 

VRAPO BABADIMER 2017