“KREJT KA PAK II: N’DOREN TONE”

19.10.17 13:11


Nga data 12 deri më 15 tetor, në Termokiss u organizua aktiviteti “Krejt Ka Pak II: n’dorën tonë”. Bëhet fjalë për një sërë aktivitetesh të natyrave të ndryshme të cilat si qëllim kanë punën në grup dhe koordinimin.

Në kuadër të 15 aktiviteteve të natyrave të ndryshme, kishte koncerte, ekspozita, ligjërata, punëtori, diskutime, lexime të prozës e poezisë, shfaqje të filmave dhe dokumentarëve, etj.

“Gjatë tërë vitit kemi punuar shumë në infrastrukturën e objektit ku gjendemi. Termokiss është një qendër shoqërore e cila ndodhet në një objekt i cili në të kaluarën nuk është përdorur dhe tani ne jemi duke punuar vazhdimisht që ta rregullojmë në mënyrën më të mirë. Kjo është edhe arsyeja pse i kemi organizuar këto aktivitete, të cilat, për fat të mirë, rezultuan të suksesshme”, theksoi Arbër Salihu nga Termokiss.

Në ditën e parë u shfaq një ekspozitë me punimet e studentëve të Universitetit të Prishtinës dhe UBT-së. “Pas disa muajve të mobilizimit vullnetar, përveç ftesës për pjesëmarrje në ekspozitë, ne i ftuam të gjithë që të vijnë në hapësirën pothuajse të renovuar të Termokissit dhe të argëtohen me koncerte ku u kombinuan disa artistë me energji dhe performanca të veçanta”, u shpreh Salihu. Grupet të cilat performuan ishin “Shtëpia”, “The Lovers”, “The Laser Rats” dhe “Malik”.

Gjatë ditës së dytë u mbajt punëtoria e udhëhequr nga Taulant Qerkini, në të cilën u konkretizua plani i pamjes së jashtme të Termokissit përderisa në mbrëmje u mbajt koncerti i grupit maqedonas “KNNT” dhe grupit grek “Millions of Dead Tourist”.

Në ditën e tretë me fillim nga ora 13:00, qendra “BONEVET” organizoi një punëtori me temën "Mini-krijuesit e lojnave" për moshat 10-14 vjeç. Krijuesit e pranishëm patën mundësinë që t’i bëjnë hapat e tyre të parë në elektronikë duke përdorur littleBits për krijimin e lojërave dhe projekteve të ndryshme. Punëtoria e cila zgjati dy orë, përfundoi me një garë në mes të pjesëmarrësve me veturat e tyre elektrike. Gjithçka u përmbyll me shfaqjen e filmave “Biletë Kthyese” nga Dritëro Mehmetaj dhe “1 Shtatori” nga Lum Çitaku.

Termokiss është qendër e drejtuar nga komuniteti në Prishtinë me mision këmbimin urban dhe civil, reflektimin dhe ndryshimin.

TERMOKISS 2017