NE TATRIN KOMBETAR TE KOSOVES U PREZANTUA SHFAQJA “STILL LIFE” NGA ANGJELIN PRELJOCAJ

13.10.17 13:27


Si çdo herë tjetër, kur në folenë e artit (TKK) jepet ndonjë shfaqje e baletit, interesimi ishte i madh. Megjithëse kësaj radhe nuk performuan balerinët nga Kosova, por u dha shfaqja “Still Life”, e regjisorit me prejardhje shqiptare me famë botërore, Angjelin Preljocaj, ajo e cila e mbushi sallën e Teatrit Kombëtar në Prishtinë.

Një performancë më ndryshe se ato që zakonisht kemi pasur mundësi t’i shohim. Të gjitha këto ndërtuan namin që trupa e Angjelin Preljocajt e posedon sot në botën e baletit. “Trupa ime e njeh shumë mirë stilin tim. Është një stil i vështirë dhe preciz. Trupa e Kosovës, performon balet klasik, dhe kjo është një gjë shumë e mirë. Ne do të prezantohemi me këtë shfaqje edhe në Itali, Gjermani dhe Brazil”, theksoi koreografi Angjelin Preljocaj.

Shfaqja e ndarë në dy pjesë, zgjati afërsisht dy orë kurse vëmendjen e të gjithëve e rrëmbeu qysh në fillimin e shfaqjes së saj. “Ishte një shfaqje e rrallë, shumë unike. Diçka që nuk kemi pasur mundësi të shohim deri më tani. Balerinët ishin tejet profesional dhe sollën një magji në sallën e teatrit”, u shpreh Edona Rraci, e cila ushtron balet tash e ca vite.

“Ai është një ndër koreografët më të njohur në kohët e sotme. E ka bërë një punë jashtëzakonisht të mirë me trupën e vet dhe publiku kosovar ka pranuar shumë mirë. Edhe kësaj radhe, ai e shfaqi stilin e tij unik të punës dhe të menduarit”, u shpreh Ahmet Brahimaj drejtor i Baletit të Kosovës.

Verity Jacobson, balerinë e cila ishte pjesë e kësaj shfaqje u nda shumë e kënaqur me reagimin e publikut. “Ishte një eksperiencë e re për neve, skena ishte më e vogël se ato në të cilat zakonisht performojmë ne. Publiku ishte i lumtur me shfaqjen tonë, dhe kjo ka rëndësi të madhe për ne”, u shpreh Jacobson.

STILL LIFE 2017