“LET’S DANCE” MBLEDH MBI 23 MIJE EURO PER NENAT DHE FEMIJET

02.10.17 14:01


Aktiviteti për mbledhjen e fondeve “Të vallëzojmë për nënat dhe fëmijët” – Let’s Dance, që u mbajt për të tretën herë me radhë ka dëshmuar se lëvizja e bamirësisë që nisi në vitin 2015 tashmë është shndërruar në një nga traditat më të bukura në kryeqytet.

Duke shpalosur bujarinë e tyre dhe lidhjen mes tyre, mbi 400 vetë morën pjesë në mbrëmjen e vallëzimit për qëllime të mbledhjes së fondeve e cila u mbajt në “Duplex Premium” në Prishtinë. Me këtë rast, përmes sponsorëve dhe biletave të shitura u mblodhën 23.486,50 €.

Si çdo vit tjetër, fondet e mbledhura përmes kësaj mbrëmjeje të vallëzimit do të përdoren nga Fondacioni “Aksioni për Nëna dhe Fëmijë” për të mbështetur programe që luftojnë shkallën e vdekshmërisë foshnjore, sëmundjet tek foshnjat e lindura para kohe dhe shqetësime të tjera, si dhe për të mbështetur familjet e tyre. E gjithë kjo punë bëhet në bashkëpunim të ngushtë me shërbimin e kujdesit mjekësor në Kosovë.

“Let’s Dance” tashmë është shndërruar në një markë e cila ndërlidhet ngushtë me konceptin e mbledhjes së fondeve për qëllime bamirësie dhe për t’iu dhënë fëmijëve mundësinë për një jetë të lumtur dhe të përmbushur. Gjatë vitit në vijim, Fondacioni do të publikojë aktivitetet e mundësuara nga këto fonde”, u shpreh njëra nga organizatoret Zana Aqifi.

Gjithashtu, falë këtyre fondeve, Fondacioni ka arritur të avokojë që institucionet shëndetësore të zhvillojnë udhërrëfyesin nacional për transportin standard të foshnjave nga spitalet rajonale për në Prishtinë. Një tjetër arritje është zgjerimi i ndërmarrjes sociale “Teshavesha”.

 

 

LETS DANCE 2017