“ROMA VERISTAS” HAP KONKURSIN PER KOMUNITETET RAE

28.09.17 13:06


   Ditë më parë programi “Roma Veristas” a hapi konkursin për pranimin e përfituesve të këtij programi për vitin shkollor 2017-2018. Me këtë program përfitojnë pjesëtarët e komuniteteve rom, ashkalinj dhe egjiptian. Programi ka për qëllim përkrahjen akademike të studentëve që vijnë nga këto komunitete.

   “Për këta studentë ne sigurojmë mentorim, qendrën e burimeve, librarinë, trajnime profesionale, etj. Kohë më parë ne kishim edhe trajnime për ngritjen e vetëbesimit, ku me studentët punuan profesionistët e fushave të ndryshme dhe psikologët. Ne synojmë që këtyre studentëve t’ua ngremë vetëbesimin dhe t’ua lehtësojmë sa më shumë integrimin,” theksoi Genc Broqi, drejtor i organizatës joqeveritare lokale “Roma Versitas Kosovo”. Numri i studentëve që do të përfitojnë këtë vit është 80 dhe po i njëjti numër është siguruar edhe për vitin e ardhshëm. Për pranimin e këtyre studentëve, kjo organizatë ka kritere të veçanta.

   “Kemi kritere për përzgjedhjen e studentëve. Ata të cilët vijnë nga universiteti publik marrin më shumë pikë se sa ata nga universitetet private. Rritja e interesimit të studentëve është shumë e madhe. Që në fillim të programit tonë, ka pasur shumë të interesuar mirëpo, me kalimin e viteve interesimi sa vjen e rritet. Vite më parë kishte më shumë studentë meshkuj të interesuar, kurse tani interesimi i femrave është në rritje e sipër. Po ashtu, gjatë procesit të pranimit femrat kanë më shumë përparësi. Kjo për faktin se kur filluam me këtë program kishim 80 për qind meshkuj dhe vetëm 20 për qind femra. Tani femrat po dominojnë në interesimin për të studiuar. Ky është një sukses i madh”, thekson Broqi. Kjo organizatë për momentin është e lokalizuar në tri qendra, qendra kryesore ndodhet në Prishtinë kurse dy të tjerat gjenden në Pejë dhe në Prizren.

“ROMA VERISTAS” HAP KONKURSIN PËR KOMUNITETET RAE