MBAHET FESTIVALI PER FEMIJE “FLUTURAT 2017”

22.09.17 12:15


Në kopshtin e Kino Lumbardhit në Prizren, të hënën në mbrëmje u mbajt festivali i këngës për fëmijë “Fluturat 2017”.

Juria e festivalit: Xhylfidane Hoxha, Gazmend Kraja dhe Shefqet Hoxha – Sheki, çmimin e parë ia kanë ndarë këngës “Duet me dallëndyshet” kënduar nga Mario Zja dhe kompozuar nga Ylli Kalaja.

Shpërblimin e parë e ndau ministri i Ministrisë së Kulturës Kujtim Gashi. “Është kënaqësi të jem prezent këtu në mesin e këngëve të cilat janë për t’u admiruar. Fëmijët janë e ardhmja e këtij vendi, andaj do të mundohemi që të ju ofrojmë gjitha mundësitë për të shpalosur dhe investuar në talentet që kanë”, u shpreh Ministri Gashi.

Vendin e dytë juria ia ndau këngës “Kush e hëngri mjaltin” të cilën e këndoi Emi Bakia dhe kompozuar nga Artan Bakia. Vendi i tretë iu nda këngës “Udha e re” e kënduar nga Ela Kazaz dhe kompozuar nga Reshit Ismet. Dueti më i mirë u vlerësua dueti i Zana dhe Edon Ramadanit, ndërsa për paraqitje më të mirë skenike u vlerësua Kejixhi Bilalaj.

Në këtë festival u nda edhe shpërblimi i revistës “Fidani” për tekstin më të mirë. Kryeredaktori i Revistës “Fidani” Berat Batiu “Penën e artë” ia ndau tekstit të këngës “Princeshat” të autores Hatixhe Ademaj.

Gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve Gazmend Kraja e shprehu kënaqësinë që ishte pjesë e festivalit, siç tha ai mirë të organizuar. “Iu urojmë këtyre fëmijëve që kur të rriten t’i shohim nëpër festivale të mëdha” tha Kraja.

 

FLUTURAT 2017