PERFUNDON ‘YLBERI I PRISHTINES’

20.09.17 13:02


Për të pesëmbëdhjetin vit me radhë u përmbyll me sukses Festivali Ndërkombëtar i Fëmijëve “Ylberi i Prishtinës”.

Në fillim të këtij aktiviteti në qendër të Prishtinës defiluan mbi 500 fëmijë nën tingujt e muzikës dhe veshjet tradicionale kombëtare. Përmes valleve të tyre ata i prezantuan vlerat kulturore të qyteteve dhe shteteve të ndryshme që këta fëmijë i përfaqësonin.

“Kemi kaluar shumë mirë, kemi njohur bashkëmoshatarë me të cilët kemi ndarë momente të bukura”, u shpreh Artena Gashi, 14 vjeçare. Defileu i ansambleve nisi nga Sheshi “Zahir Pajaziti” për të vazhduar më tutje përgjatë bulevardit “Nëna Terezë” deri tek Sheshi “Skënderbeu” për t’u kthyer sërish në Sheshin “Zahir Pajaziti”(tek amfiteatri) ku edhe u bë hapja e festivalit.

“Këtë vit pati shumë risi me qëllim që ky manifestim të linte mbresa të veçanta tek qytetarët e posaçërisht tek fëmijët. Krahas disa ansambleve vendore, pjesëmarrës ishin edhe ansamblet nga Shqipëria, Mali i Zi, Maqedonia, Kroacia, Bullgaria dhe Turqia” u shpreh Besart Vllahinja nga Komuna e Prishtinës.

Festivali u organizua nga Qendra Kulturore e Fëmijëve të Prishtinës nën patronatin e Kryetarit të Komunës së Prishtinës dhe me mbështetje edhe nga Drejtoria për Kulturë e Komunës së Prishtinës.

YLBERI I PRISHTINES 2017