TAKIMET BJESHKATARE “GERMIA 2017”

18.09.17 11:27


Bjeshkataria është padyshim një aktivitet jashtëzakonisht i mirë dhe i shëndetshëm i cili na mundëson largimin nga teknologjia, rrjetet sociale, stresi dhe përditshmëria.

Në kuadër të Federatës së Bjeshkatarëve Alpinist, në Kosovë sot janë rreth 17 klube të bjeshkatarëve. Njëra prej tyre është edhe Shoqëria e Bjeshkatarëve Alpiniste Prishtina e cila fundjavën e kaluar më 16 dhe 17 shtator organizoi takimin e 11-të ndërkombëtar.

Ky takim organizohet çdo vit, më herët është organizuar në Brezovicë, në Brod, kurse kësaj radhe është organizuar në parkun Gërmia në Prishtinë. “Kishim për qëllim ta ndryshojmë vendin, dhe ti njoftojmë pjesëmarrësit edhe me bjeshkë të tjera siç janë bjeshkët e Sharrit, kurse tani u koncentruam në Prishtinë”, tha Gani Syla nga Shoqëria në fjalë.

Në këtë takim morën pjesë edhe anëtarët e klubeve të tjera të bjeshkatarëve por edhe shumë të tjerë të interesuar për këtë fushë. Në kuadër të këtij takimi u organizua edhe vizita në Muzeun e Prishtinës, në qytetin antik Ulpiana, ushtrimi dhe ngjitja në murin alpin i cili është i vendosur në parkun Gërmia tek qendra rekreative.

“Qëllimi i këtij takimi padyshim se ishin vizitat në gjithë këto vende por edhe shkëmbimi i përvojës në mes të anëtareve të klubeve dhe pjesëmarrësve të tjerë. Po ashtu qëllimet e tjera janë njohja e pjesëmarrësve me bukuritë natyrore të Parkut të Gërmisë, edukimi i të rinjve për mbrojtjen dhe ruajtjen e ambientit si dhe zhvillimi i marsh rutave të ecjes”, shprehet Gani Syla.

Kjo ngjarje është organizuar nga Shoqëria Bjeshkatare Alpiniste Prishtina, nën patronatin e Federatës Bjeshkatare Alpiniste të Kosovës si dhe me përkrahjen e institucioneve relevante të Kosovës.

 

GERMIA 2017