‘MBESHTETU TEK UNE’ EKSPOZITE NGA FITORE BERISHA

08.09.17 13:20


Artistja Fitore Berisha ishte mjaft e emocionuar për hapjen e ekspozitës së saj të cilën e konsideron si sukses të jetës së saj personale.

Fitorja ishte falënderuese ndaj galerisë, “Traffic Gallery” dhe Burim Berishës, për interesimin e shprehur për punimet e saj në ekspozitën “Mbështetu tek unë”. Ajo sqaroi se, në punimet e saj paraqitet përvoja dhe transicioni të cilin po e përjetojmë çdo ditë si shoqëri. Sipas saj, në këto vepra paraqiten thyerjet e shoqërisë, ngritja e saj dhe mbështetja në njëri-tjetrin.

“Punimet e mia përmbajnë fytyra të ndërlidhura me njëra tjetrën, ku çdo fytyrë në vete përmban një trishtim, thyerje apo dëshpërim, por të ndërlidhura ato krijojnë një imazh të fuqishëm me elemente të krenarisë, dashurisë dhe bashkimit. E ky bashkim paraqitet përmes fytyrave të të dyja gjinive, të cilat gjithmonë të bashkuara krijojnë atë fuqi, që unë e quaj dashuri, e kurrsesi të ndara e të thyera”, tha ajo.

Fitorja tash e dhjetë vjet punon jashtë vendit por, ka ardhur shpesh në Kosovë dhe është pjesë e kësaj hapësire artistike. “Me murale kam filluar në vitin 2003 dhe iu jam kthyer prapë, këtu kam hapur një galeri dhe punoj në pikturë, murale, tema nga rrethi të cilat më ngacmojnë”, tha ajo.

Burim Berisha, menaxheri i “Traffic Gallery” tregon se kjo galeri ka rifilluar sërish punën, pas tre muajsh, me ekspozimet e punimeve të artistëve. “Duam të jemi të afërt me artistët, ata janë të lirë në zgjedhjen e punimeve të tyre. po kështu kemi vepruar edhe me Fitoren, me punimet e ekspozitës “Mbështetu tek unë”, ajo vetë i ka zgjedhur temat që do t’i ekspozojë. Punimet e Fitores më kanë pëlqyer shumë, temat i ka të qëlluara dhe ato janë të realizuara mirë”, tha ai.

Ekspozita "Mbështetu tek unë" do të jetë e hapur për një muaj.

EKSPOZITA MBESHTETU TEK UNE