“CARE FOR KOSOVO KIDS”

04.09.17 13:41


Fondacioni “Care for Kosovo Kids” është një fondacion i regjistruar në Holandë dhe në Kosovë. Aktiviteti dhe qëllimi kryesor i këtij fondacioni është që të siguroj barnat e nevojshme për trajtimin e fëmijëve të cilët vuajnë nga kanceri në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Fondacioni ekziston në baza vullnetare dhe deri më tani ka grumbulluar të hollat për blerjen e barnave të nevojshme. “Donacionet vijnë nga bizneset private, nga individë të ndryshëm, kemi edhe fondacione që vijnë direkt nga Holanda. Të gjitha këto donacione që mbledhim, ne i blejmë barnat që u nevojitën këtyre fëmijëve. Po ashtu ne kemi edhe bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë e cila gjithashtu dhuron ndihmë për këta fëmijë, por pjesa e madhe e këtyre donacioneve vjen nga organizata jonë që nga viti 2013”, thotë Edona Toplica nga “Care for Kosovo Kids”.

Në repartin e Onkologjisë/Pediatrisë në QKUK, deri më tani, fondacioni “Care for Kosovo Kids” ka arritur në mënyrë shumë të suksesshme të mbuloj nevojat e shumta për blerjen e barnave të nevojshme me fëmijët të prekur nga kanceri.

“Fondet më të shumta që marrim vijnë nga Holanda, dhe kryesisht janë anonime. Janë njerëz të cilët nuk kanë dëshirë të ekspozohen por kanë vullnet të mirë që t’iu ndihmojnë këtyre fëmijëve”, shton Toplica.

Që nga themelimi i fondacionit “Care for Kosovo Kids”, në fillim është bërë komplet renovimi i repartit onkologjik në QKUK. Përveç kësaj, ky fondacion shpesh organizon ligjërata me mjekë të cilët vijnë nga Austria dhe Holanda dhe të cilët ua kalojnë përvojat e tyre mjekëve kosovar.

Në vazhdën e shumë projekteve humanitare, “Care for Kosovo Kids” më 6 shtator në kafeterinë “Soma” në Prishtinë, do të organizoj edhe një aktivitet humanitar në të cilin do të këndoj këngëtari Shpat Deda kurse të gjitha mjetet e grumbulluara do të shkojnë për barnat e nevojshme për fëmijët e prekur nga sëmundja e kancerit të cilët janë duke u trajtuar në QKUK

 

CARE FOR KOSOVO KIDS