NOTI DHE FEMIJET

31.08.17 11:46


Padyshim se çdo aktivizimi në sport ndikon në cilësinë e jetës dhe shëndetin e fëmijëve. Në mesin e sporteve të ndryshme, është edhe noti, i cili sipas mjekëve konsiderohet si njëri nga sportet më të mira për fëmijët.

Preferohet që fëmijët të fillojnë të merren me not qysh në moshën e vogël, pasi që uji është element shumë i afërt për foshnja që nga trupi i nënës. Edhe në Kosovë, interesimi për këtë sport ka filluar të rritet dita ditës. Këtë fakt e dëshmon edhe suksesi i fëmijëve, të cilët po shprehin interesim për të marr pjesë në garat e ndryshme.

“Ka dy vite që merrem me not. Kam shumë përmirësime në trup dhe shëndet. Tani ndihem shumë më lehtë dhe më mirë. Me padurim e pres orën e notit. Fatmirësisht gjatë gjithë verës kemi pishina të hapura, dhe sigurisht që e kam shfrytëzuar çdo mundësi që të notoj. Unë ua sugjeroj këtë sport të gjithë bashkëmoshatarëve të mi”, thotë Tesa Dida, 12 vjeçare nga Prishtina.

Në Kosovë nuk ka shumë shkolla të notit, por ato të cilat po veprojnë tash e disa vite, kanë një numër të konsiderueshëm të fëmijëve. “Vajza ime nuk e mbante qëndrimin dhe kurrizin mirë e drejt. Ajo kalon shumë kohë pranë TV ose me tabletin e saj. Tash e disa muaj ka filluar të merret në mënyrë intensive me not, dhe ndryshimet e përmirësimet janë shumë të dukshme”, thotë Gresa Sahiti, nënë.

Kujtim Kito, trajner i notit i këshillon të gjithë fëmijët që të merren me këtë disiplinë sportive, për të pasur jetë më të shëndetshme. “Fëmijët qysh nga mosha 5 vjeçare mund të merren me not. Dobitë të cilat i sjell noti janë të shumta. Me këtë sport ju mund të shpëtoni jetë, është një sport qetësues, gjatë notit të gjithë muskujt janë në lëvizje. Noti është një sport i cili iu sjell dobi të gjitha gjeneratave. Ai nuk shkakton presion në trup andaj lëndimet duke ushtruar këtë sport janë më të vogla”.

Sipas trajnerëve, fëmijët do të duhej të mësojnë të notojnë që në moshën parashkollore, sepse ky sport është shumë i mirë dhe i përshtatshëm për vitet e para të jetës.

NOTI DHE FEMIJET