KAMPI “DIZAJNI DHE NATYRA” BASHKON RININE NE GERMI

28.08.17 11:44


Ditë më parë në Prishtinë, saktësisht në parkun “Gërmia” u mbajt kampi “Dizajni dhe Natyra”. Në këtë kamp ishin përfshirë 40 të rinj nga e mbarë Kosova, të cilët qëndruan në Qendrën Rekreative të Gërmisë. Këta të rinj, përmes aktiviteteve të ndryshme socializuese dhe edukative zhvilluan projekte të punës vullnetare të cilat do t’i implementojnë në komunat e tyre.

“Përmes projekteve të zhvilluara gjatë kampit ‘Dizajni dhe Natyra’, këta të rinj synojnë të përmirësojnë hapësirat publike të gjelbra në Kosovë. Ky kamp organizohet nga organizata kosovare për talent dhe arsim – TOKA dhe ka për qëllim të promovojë vullnetarizmin edukativ në Kosovë si dhe të nxisë qytetarinë aktive përmes punës vullnetare”, thuhet në kumtesën e lëshuar nga organizatorët. Organizimi i këtij kampi është mbështetur nga fondacioni ‘Unë e du Kosovënʼ, organizatës botërore për mjedis ʼWWF Adriaʼ dhe Komunës së Prishtinës. Kampi në fjalë është vend ideal për ata të cilët dëshirojnë të argëtohen por edhe të krijojnë gjërat inovative, siç janë realizimi i video xhirimeve dhe ndërtime të punimeve nga druri. Ky kamp është vend ku të gjithë mund të krijojnë shoqëri të re, krijojnë punime nga druri dhe të argetohen. Përveç argëtimit, zhvillohen edhe shumë shkathtësi artistike dhe teknologjike të cilat të gjithëve ju duhen në jetë. Participantët e këtij kampi i përkisnin moshës 14 deri 17 vjeçe. Në kuadër të këtij kampi pati edhe aktivitete socializuese, edukim jo-formal, punime me dru, krijime të video xhirimeve, lojërat sportive, ecja në natyrë, ngjitja në murin alpin, etj. Kampi u mbyll më 25 gusht 2017.

KAMPI “DIZAJNI DHE NATYRA” BASHKON RININË NË GËRMI