ANIBAR PLOT ARGETIM DHE INOVACIONE

25.08.17 11:10


Festivali Ndërkombëtar i Filmit të Animuar Anibar 2017, në edicionin e tij të tetë këtë vit solli shumë argëtim dhe inovacione për të rinjtë. Vizitorët e shumtë çdo ditë morën pjesë në aktivitetet të cilat u organizuan vazhdimisht në Pejë

Qyteti i Pejës, ishte i mbushur me të rinjtë nga Kosova por edhe nga vendet e ndryshme. Punëtori të shumta zgjuan kureshtje të madhe tek të gjithë, kurse panelistët punuan që t’ua mësojnë atyre animacionin. Disa nga panelistët e këtij edicioni ishin Modest Gashi, Flaka Xërxa, Rozafa Berisha, Hajrullah Çeku, etj.

Më 17 gusht, në kinemanë “Jusuf Gërvalla” është u shfaq edhe filmi i metrazhit të gjatë “Sheep and Wolves” përderisa në po të njëjtën kohë u shfaq edhe Kids Program 2 në Teatrin “Istref Begolli”. Pas këtij prezantimi, u shfaq edhe programi Junior Oscar i mbështetur nga IPKO Foundation.

“Junior Oscar ka për qëllim që t’i zhvillojë aftësitë kreative, inovative të punës grupore të nxënësve të shkollave fillore të Kosovës, të cilët gjatë vitit vazhdimisht bëjnë filma të shkurtër dhe ua dërgojnë organizatorëve të Anibar-it”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga organizatorët.

Në anën tjetër, u realizua edhe ligjërata në Galerinë e Arteve lidhur me historinë e animacionit të Evropës Lindore. Në vazhdën e filmave të shfaqur, u prezantua edhe filmi “The Red Turtle”. Në Galerinë e Arteve në Pejë u hap edhe retrospektiva e animatorit më të shquar zvicran Georges Schwizgebel. Ekspozita ishte e hapur deri më datën 20 gusht.

Muzikantët të cilët i dhanë edhe më shumë ngjyrë e argëtim këtij festivali, këtë vit ishin Eugent Bushpepa, DJ Alban Muja, bendi Asgjë Sikur Dielli, Electra Leger etj.

Edicioni i tetë i festivalit Anibar, përfundoi më 20 gusht.

ANIBAR 2017