Kur në olimpiadë sundojnë grushtat

18.06.15 13:45


Boksi, si luftë me grushta dhe me rregulla të caktuara është njëri ndër sportet më të vjetra dhe më të adhuruara në botë. Që nga fillimi i shekullit të 20-të është bërë një nga disiplinat e lojërave olimpike. Në lojërat e ardhshme olimpike që do të mbahen në qytetin brazilian, Rio de Janeiro, edhe Kosova dëshiron të merr pjesë në këtë disiplinë.
Qysh në kohën e lojërave antike olimpike, para më se dymijë e pesëqind vitesh, burrat luftonin me grushte kundër njëri tjetrit. Atëbotë ishte ende e paimagjinueshme ndërtimi i një ringu apo vënia e dorashkave prej poliesteri.

 Atëbotë, duart e atletëve mbështilleshin me rripa nga lëkura e demave dhe luftohej drejtpërdrejtë në tokë të hapur. Gjithashtu nuk kishte kategori të ndryshme peshash dhe lufta përfundonte pasi njëri prej atletëve dorëzohej apo nuk mund të vazhdonte më tej. Për arsye se ky lloj sporti në antikitet filloi të dilte jashtë kontrollit - jo rrallë herë ndodhte që nën fashat e vendosura në grushte të fshiheshin copa metalike prej plumbi apo kthetra dhe shumë shpesh luftërat përfundonin me vdekje skllevërish - perandori romak Theodosius I në shekullin 4 vendosi ndalimin e të gjitha llojeve të luftërave.

 

Boksi modern vazhdon të ekzistojë

Për qindra vite me radhë, në Evropë boksi si sport kishte mbetur në harresë. Vetëm në fillim të shekullit të 18-të, instruktori anglez i skermës James Figg kishte themeluar një shkollë moderne të boksit dhe vendosi disa rregulla të paqarta për një sport bashkëkohor. Pak më vonë, Jack Brougthon me prejardhje nga Anglia vendosi në jetë disa rregulla të prera. Me kalimin e kohës këto rregulla vazhduan të përpunoheshin, kështu që në vitin 1838 u krijuan të ashtuquajturat Rregullat e Ringut për Çmimin e Londrës. Këto rregulla u zbatuan për herë të parë në luftërat në një ring të posaçëm boksi. Në vitin 1867 u futën në fuqi të ashtuquajturat “Rregullat-Queensberry“. 

Me këto rregulla u vendos që boksi të bëhej me dorëza të posaçme, që edhe sot janë të zakonshme. Boksi u bë sport modern luftarak masiv, sidomos në nivelin profesionist, në shekullin e 19-të në SHBA. Sidoqoftë, ndeshjet për kampion bote vazhduan të zhvilloheshin pa dorëza deri në vitin 1891.

 

Rregullat bazë

Boksi zhvillohet nëpërmjet goditjeve me grusht, të cilat e shtyjnë kundërshtarin prapa apo e paaftësojnë për të luftuar më tutje. Në rast të përdorimit të pjesëve të tjera të trupit për të luftuar kundërshtarin si p.sh. këmbët apo pjesa e brendshme e shuplakës së dorës, atëherë gjyqtari i ndeshjes i vlerëson si goditje të dënueshme dhe si pasojë një gjë e tillë llogaritet si vërejtje. Në rast të ripërsëritjes së shpeshtë apo goditjeve në vende të ndaluara, një gjë e tillë mund të shkaktojë ulje të pikëve të grumbulluara apo edhe në diskualifikim të plotë të boksierit. 

Një goditje e cila llogaritet si e rregullt duhet të drejtohet në pjesën ballore të kokës, qafës, të gjoksit dhe barkut deri në pjesën e imagjinueshme të belit apo edhe në kraharor. Goditjet të cilat realizohen nën vijën e rripit llogariten si shkelje e rregullave. Ndërsa për goditjet që realizohen drejtpërdrejtë në kraharor apo dhe në dorashkat e grushtit nuk përllogariten si pikë të vlefshme dhe këto goditje llogariten si goditje të bllokuara nga kundërshtari.

Mbërthimi ndodh shpesh, por nuk është i lejuar, madje shpesh tolerohet nga gjyqtarët e ringut, por edhe kjo mund të çojë në heqje të pikëve, në rast se për një kohë të shkurtër nuk mund të zhvillohet dyluftimi i kërkuar. Boksierët zakonisht e përdorin mbërthyerjen kur janë të lodhur apo edhe kur gjenden në një distancë të pafavorshme për tu përballur me kundërshtarin.

 

Historia olimpike

 

Boksi është pranuar për herë të parë në programin e lojërave olimpike moderne në lojërat e mbajtura në Sent Louis të Amerikës në vitin 1904. Që atëherë, vetëm në lojërat e mbajtura në Stokholm në vitin 1912 nuk janë organizuar turnirët olimpik në Boks. Arsyeja për një mos organizim të tillë ishte se deri në atë kohë boksi si sport ishte i ndaluar në Suedi. Një rast unik në historinë e këtij sporti ishte edhe i ashtuquajturi “rasti i vitit 1952”. Në Helsinki të Finlandës, në finalen e kategorisë së rëndë, suedezi Ingemar Johansson në dyluftim kundër amerikanit Ed Sanders  ishte diskualifikuar qysh në raundin e dytë për shkak të “Burracakërisë” dhe për këtë arsye nuk iu nda edhe medalja e argjendtë. Megjithatë, ai në vitin 1981 u rehabilitua, dhe më vonë iu nda medalja e argjendtë.

Një histori po aq kurioze është edhe historia e amerikanit Eddie Eagan: në vitin 1920 ai fitoi medaljen e artë në peshën gjysmë të rëndë, ndërsa në vitin 1932 medaljen e artë në Bob-katërsh. Dy disiplina, të cilat nuk kanë asgjë të përbashkët, apo jo?

 

Yjet në ring

Edhe pse boksi kritikohet vazhdimisht për shkak të dhunës së shfaqur, ai mbetet prej sporteve më të popullarizuara në botë. Sot, ndeshjet në kategorinë e peshës së rëndë vlerësohen si më të shikuarat. Emrat e mëdhenjë si George Foreman (SHBA), Mike Tyson (SHBA), Lennox Lewis (BM), Oleg Maskajew (Rusi) apo vëllezërit Vladimir dhe Vitali Klitschko (Ukrainë) cilësohen si yjet më njohur dhe më të adhuruar në këtë disiplinë. I paharrueshëm deri më sot mbetet boksieri afro-amerikan Muhammad Ali, i cili konsiderohet si kampion i pakontestueshëm për shkak të të arriturave të tij në ring gjatë viteve 1960 dhe 1970. 

Por edhe Kosova ka një të kaluar të suksesshme në boks. Ndër boksierët më të njohur kosovarë është ish kampioni europian në pesha të rënda nga Juniku, Luan Krasniqi. Bazuar në suksesin e Luanit, njerëzit në Kosovë me plotë të drejtë shpresojnë për suksese të reja të bashkëvendësve tanë edhe në lojërat e ardhshme olimpike në Rio de Janeiro.