Demokracia: Nga një ide në një sistem politik

18.06.15 12:55


Evropa e sotme politike karakterizohet nga një numër i madh qeverish me orientime të ndryshme. Megjithatë, ato të gjitha kanë një gjë të përbashkët: Ato janë të legjitimuara në mënyrë demokratike. Por rruga drejt „qeverisjes nga populli“ ishte shumë e gjatë dhe me pengesa. Ne do të mundohemi që të hedhim dritë mbi fillimet e saj.

 

Historia e demokracisë daton që në kohët e hershme dhe është shumë e larmishme. Nëse kërkojmë zanafillën e saj herët a vonë do të përfundojmë në qytet shtetet antike greke. Dy mijë vjet më parë nga këto kombe të vogla dolën një sërë poetësh dhe mendimtarësh, dhe shumë prej tyre iu përkushtuna filozofisë politike. Aristoteli, Platoni apo Kleisthenesi; dhe shumë dijetarë antik të cilët njihen edhe sot diskutuan mbi formën ideale të qeverisjes së mirë të popullit.

 

Populli është sovrani

Demokracia në Greqinë e sotme nuk lindi thjeshtë nga asgjëja, por së pari duhej kundërshtuar sundimi i monarkisë – sundimit të një individi. Nëse ishte më i mirë sundimi nga një sundimtar i mençur apo dashamirës apo marrja e vendimeve sipas dëshirës së popullit, atëbotë ishte mjaft diskutabile. Mbretërit sundues të atëhershëm, për shkak të tensioneve të brendshme dhe të jashtme, me kalimin e kohës u zëvendësuan nga të ashtuquajturat oligarki udhëheqëse nga pjesëtarët e familjeve fisnike.

Megjithatë edhe kjo formë e qeverisjes, në të cilën pushteti ushtrohej nga një grup i vogël njerëzish nuk kishte sjellë rezultatet e dëshiruara. Kah fundi i shekullit të shtatë para erës së re ishte vendosur pushteti i qeverisjes qytetare. Ky lloj koncepti, kishte të bënte shumë pak me të kuptuarit tonë të sotëm, mbi qeverisjen e popullit, e aq më pak me proceset demokratike. Vendimet në atë kohë merreshin me grumbullimin e shumicës së votave në një plenum të të gjithë qytetarëve me të drejtë vote.

Për arsye se në këto qytet-shtete, grupet vendimmarrëse ishin relativisht të vogla nuk shtrohej nevoja e delegimit të përfaqësueseve, sikurse p.sh. deputetët e parlamentit. Po ashtu, duhet thënë se në ato kohëra shumë njerëz ishin të përjashtuar nga proceset politike si p.sh. femrat, skllevërit, të gjithë njerëzit nën moshën 20-vjeçare si dhe njerëzit që nuk ishin qytetarë të këtyre qytet-shteteve. Gjithashtu mungonte kontrolli i organeve të pavarura, të cilat do të pengonin keqpërdorimin e pushtetit. Për rrjedhojë, oratorët profesionist, të ashtuquajturit Demagogët, ushtronin një ndikim shumë të fuqishëm. Kështu, shpesh emocionet mbizotëronin kundrejt argumenteve racionale gjatë marrjes së vendimeve.

 

S’ka shtet pa nëpunës shtetëror

Natyrisht, edhe në kohët antike kanë ekzistuar nëpunësit shtetëror të ashtuquajtur Arkond. Ata ishin të ngarkuar me ekzekutimin e detyrave të caktuara administrative dhe angazhoheshin kryesisht për një kohë të caktuar përmes procedurave të hedhjes së shortit. Për arsye se atëbotë detyrat e nënpunësve shtetëror ishin të thjeshta në krahasim me ato të sotmet, nuk shtrohej nevoja e angazhimit të personelit profesionist. Vetëm në fushën e udhëheqjes së luftërave autorizohej vetëm një njeri i cili sipas mendimit të shumicës kishte aftësitë më të mira strategjike dhe taktike. Ky udhëheqës ushtarak, në rast të humbjes së betejave ishte gjithmonë nën rrezikun për t’u dënuar nga e ashtuquajtura “gjykatë e mbyllur” dhe ndodhte edhe që të internohej.

 

Problemet e pushtetit të plotfuqishëm

Përmes kësaj vijmë deri tek një veçori tjetër e demokracisë antike: Atëbotë nuk kishte ndarje të pushteteve siç ndodh në kuptimin e pushteteve të sotme. Në kuvendin e njëjtë ndërthureshin të gjitha pushtetet si ato të nxjerrjes së ligjeve (Legjislativi), zbatimit të tyre (ekzekutivi) dhe të së drejtës (gjyqësori). Prandaj qytetarët shumë lehtë mund të denoncoheshin si “Armiq të demokracisë” apo si “jo të moralshëm”, në mënyrë që pastaj të dërgoheshin në internim apo të gjykoheshin me ndonjë formë tjetër të vuajtjes së dënimit. Nuk ekzistone ndonjë kontroll i këtyre vendimeve apo ripërpunim i pavarur nga më shumë institucione. Si rezultat në kuvendin popullor shpesh merreshin vendime të motivuara politikisht apo zhvilloheshin beteja personale për pushtet dhe intriga.

 

Një sërë sistemesh të ndryshme

Aq sa ishin të ndryshme të ashtuquajturat qytet-shtetet në Greqinë antike, po aq të ndryshme ishin konceptimet e atjeshme mbi demokracinë. Veçanërisht sistemi i politik i Athinës ishte më i sofistikuar dhe më dinamik se sa në qytet-shtetet tjera. Atëbotë kishte klasë të ndryshme të votuesve të cilët dallonin varësisht nga grumbullimi i të ardhurave tatimore. Këto klasa e përcaktonin se çfarë pozitash mund t’i jepeshin dikujt dhe cilat detyra do t’i jepeshin një qytetari në rast lufte. Kjo ndikohej dukshëm nga pajisjet që ata mund t’i blinin. 

Pra, qytetarët e pasur duhej të kishin kuaj dhe parzmore të rënda, ndërsa qytetarët e varfër duhej të shërbenin si ushtarë të thjeshtë të këmbësorisë. Me kalimin e kohës, në Athinë u zhvilluan edhe juridiksionet e ndryshme dhe - për shkak të rritjes së vazhdueshme të numrit të banorëve - një sistem i diferencuar politik, i cili shfaqë tiparet e para të ndarjes së pushteteve siç i njohim sot. Pra, ishte i ashtuquajturi “Këshilli i të 500-tëve” i cili parapërgatiste propozim-ligjet për kuvendin popullor. Gjithashtu u vunë bazat e para të strukturave administrative për lehtësimin e qeverisjes së zonave rurale, si dhe territoreve të pushtuara rishtazi. Të dy këto tipare janë karakteristika të një sistemi qeverisës kompleks dhe modern.

Përkundër dallimeve në mes të sistemit demokratik antik nga demokracia moderne e shekullit 21, prapë se prapë ideja pas tyre mbetet po e njëjta: Qeverisja e popullit është më e mirë se sa qeverisja nga një individ i caktuar apo nga një grup i vogël udhëheqësish.

Prandaj, demokracia aktuale, sikurse edhe para dymijë e pesëqind vjetësh mundëson një pjesëmarrje të gjerë të popullit në proceset vendimmarrëse politike. Prandaj jo më kot Greqia njihet edhe si “djepi i demokracisë” dhe si vend i origjinës së pjesëmarrjes së qytetarëve në vendimmarrje.