Arinjtë e Prishtinës

18.06.15 08:37


Mbyllja në Kafaz dhe ekspozimi i arinjve ka qenë prej kohësh praktikë e trishtë por e zakonshme në Ballkan. Kosova tanimë është liruar nga kjo traditë. Në Pyllin e arinjve në Prishtinë ish "Arinjtë e Restoranteve" pasi u shpëtuan nga robëria tani mund të jetojnë dinjitetshëm.

 

Fati i arushës së murrme "Kasandra" duket të jetë vulosur. Për mbi një dekadë kjo arushë u la në një kafaz shumë të vogël në Qafë të Duhlës e pambrojtur nga ndikimet e diellit, borës dhe shiut. Kasandra është një "Ari Restoranti" dhe si një atraksion duhet të tërheqë vizitorë. Por prapa kolibes tani duken vetëm hapësirat e zbrazëta të dritareve. Pronari kishte hequr dorë nga biznesi i tij gastronomik dhe kishte lënë pas këtë kafshë thjesht si një orendi të vjetër.

 

Një Kapitull i ri për mbrojtjen e kafshëve

Kasandra nuk është një rast i izoluar në Kosovë. Katërmbëdhjetë arinj të tjerë kanë jetuar në kushte të ngjashme të mjerueshme në robëri. Mbeturinat si ushqim, pa gjumë dimëror dhe monotonia bënë që kafshët të sëmurën. Për këtë arsye, në nëntor të vitit 2010, Ministria e Mjedisit të Kosovës e ndaloi mbajtjen individuale të arinjve dhe me këtë vendim krijoi bazë për Çlirimin e Kasandrës dhe kafshëve të llojit të saj. Por, jeta për një kohë të gjatë në kafaz e bën të pamundur rikthimin. Sepse në robëri, arinjtë e restorantit i kanë harruar instinktet e tyre dhe sjelljen e tyre natyrore. Prandaj, ata nuk mund të mbijetojnë më në botën e egër.

 

Operacioni shpëtimi i arinjve

Për këtë arsye, duhej gjendur një zgjidhje tjetër. Me iniciativën e Fondacionit Katër Putrat në vjeshtë të 2012, së bashku me Ministrinë e Mjedisit të Kosovës dhe me Komunën e Prishtinës u arrit një kontratë ndërkombëtare. Me këtë u përcaktua se, Katër Putrat si institucion i vetëm në Kosovë mund të mbajë arinj të murrmë. Afër fshatit Mramor autoritetet e qytetit me qëllim të përkujdesjes për arinjtë kanë dhënë në dispozicion rreth gjashtëmbëdhjetë hektarë tokë për ndërtimin e Parkut të Arinjve Prishtina. Për të sjellë kafshët nga e gjithë Kosova në parkun e arinjve, ishte një sfidë e madhe. Në bashkëpunim të ngushtë në mes të Katër Putrat, të autoriteteve komunale dhe shtetërore, Forca e Kosovës (KFOR), Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX Kosovë), Ambasada Austriake dhe policia u arrit që, në pranverë të vitit 2013 t'i jepej fund mbajtjes së paligjshme të arinjve. Për dy kafshë, megjithatë shpëtimi erdhi shumë vonë; nga pronari ata i ishin shitur një tregtari dhe u vranë.

 

Rikthimi i Instinkteve

Në mënyrë që grabitqarëve t’ju ofrohet një mjedis i përshtatshëm për llojin e tyre, në një territor të gjerë në Parkun e Arinjve janë ndërtuar shpella artificiale dhe madje vende me ujë. Fundja, arinjtë në natyrë i kalojnë deri në gjashtëmbëdhjetë orë në kërkim të ushqimit dhe kthehen në vendin e tyre përsëri duke lëvizur deri në 40km. Arinjtë janë alpinistë të shkëlqyer dhe notarë të aftë.

Për të sjellë këtë sjellje të natyrshme përsëri në pah, kujdestarët çdo ditë mendojnë diçka të re për kafshët e tyre. Sikurse në natyrë, gjithashtu edhe Kasandra dhe dymbëdhjetë arinjtë tjerë duhet që të gjejnë vetë frutat, arrat, kërpudhat, peshkun dhe mishin. Për të qenë në nivel të inteligjencës së gjitarëve, ushqimi në Parkun e Arinjve gjithmonë  fshehet  në një vend tjetër. Herë në hapësirat boshe të një trungu, nën gjethe dhe degë, apo edhe në një pemë.    

 

Sukseset e para

E që ky koncept po ngrihet, dëshmon edhe kontrolli i fundit shëndetësor i kafshëve. Të gjithë Arinjtë e shpëtuar kanë filluar të shërohen nga plagët e tyre fizike dhe shpirtërore. "Gëzofi i tyre është tani më i trashë dhe ata luajnë më shumë së bashku. Ata gjithashtu tregojnë shumë më pak sjellje stereotipie dhe janë shumë më të vëmendshëm për mjedisin e tyre“, thotë veterinerja kujdestare, Dr Johanna Painer.

Edhe Heli Dungler, president i Katër Putrat, ka nxjerr një përfundim jashtëzakonisht pozitiv: "Kosova ka reaguar në mënyrë shembullore dhe me veprimet e saj merr një rol drejtues. Ne shpresojmë, që edhe vendet tjera të Ballkanit të angazhohen në mënyrë efektive për mirëqenien e kafshëve. "Arusha Kasandra tashmë e ka gjetur vendin e saj të preferuar në Parkun e Arinjve në Prishtinë: Një tub betoni i shtruar me kashtë. Këtu asaj as bora dhe as temperaturat e ulëta nuk mund ti bëjnë asgjë. Për herë të parë në jetën e saj.


Parku i Arinjve Prishtina

Adresa:

Fshati Mramor, afër liqenit të Badovcit

10000 Prishtinë

Kosovë

Telefoni:

003 774 582 60 72

E-Mail:

bearsanctuary-prishtina@four-paws.org

Orari i Punës:

Prill deri Tetor: 09:00 – 18:00 h

Nëntor deri Mars: 10:00 – 16:00 h