Si e pushtoi botën Telefoni Mobil

17.04.15 13:50


Mobili është sot më shumë se një „telefon i lëvizshëm“. Ne e përdorim atë si kamerë, lundrojmë në internet apo orientohemi me të deri në cakun tonë. Më shumë se shtatë miliardë njerëz e përdorin atë.

Më 3. Prill 1973 inxhinieri amerikan Martin Cooper e realizoi në Nju Jork bisedën e parë mobile në botë. Që atëherë ka ndodhur shumëçka: celulari u zhvillua nga një simbol i statusit të udhëheqësve të korporatave dhe mjet pune për personelin në terren dhe gazetarët, deri te shoqëruesi i përditshmërisë sonë. 

Nga punëtorët deri tek menaxherët dhe nga të rinjtë deri te pensionistët, ai është i përhapur në të gjitha shtresat dhe gjeneratat. Ekranet e vogla me ngjyrë të hirtë-gjelbër janë shndërruar në ekrane të mëdha shumëngjyrëshe, në vend të tastierave sot dominojnë ekranet e ndjeshme në prekje që i binden rrëshqitjeve të gishtit, të njohura si “touch screens”. Më 1997 në gjithë botën u shitën 100 milionë telefona mobil; më 2009 ky numër shkoi në mbi një miliard, dhe vazhdon të rritet shpejt.

 

Një tullë pranë veshit

Telefoni i parë mobil i përshtatshëm ishte Motorola Dynatac 8000X. Më herët, aparatet e para, nga të cilat mund të telefonoje gjatë rrugëtimit – me përjashtim të telefonave fushor të ushtrisë – ishin telefonat e montuar në makina të cilët nuk mund të lëvizeshin. Kështu që me një peshë prej “vetëm” 800 gramëve Dynatac në vitin 1983 ishte pothuajse i lehtë. 

Por as që bëhej fjalë për ta futur në xhep të pantallonave për shkak të gjatësisë prej 33 centimetrash dhe trashësisë deri në nëntë centimetra. Mirëpo, me të dhe me pasardhësit e tij u krijua një treg në rritje e sipër i shoqëruesve mobil. Që atëherë celularët u bënë gjithnjë më të vegjël, vetëm bumi i telefonave të mençur e ndaloi këtë zhvillim. Ndërkohë, smartfonët janë pothuajse po aq të mëdhenjë sa edhe telefonat e vjetër – edhe pse janë shumë më të lehtë.

 

Motori i zhvillimit

Sipas një studimi të Kombeve të Bashkuara (OKB), pjesa më madhe e përdoruesve të telefonisë mobile nuk janë, ashtu siç mendohet, nga Amerika e veriut ose Evropa, por përkundrazi nga vendet në zhvillim në Afrikë dhe Azi. Këtu jetojnë tri të katërtat e pronarëve të celularëve në të gjithë botën.

Për shembull, në Republikën Demokratike të Kongos, e cila është në krizë të madhe, 9.3 milionë njerëz posedojnë një celular personal. Këtu telefoni është më shumë se vetëm telefon – është një motor zhvillimi i llojit të vet. Celularët i tejkalojnë rrugët e pashtruara dhe distancat e largëta dhe kështu e mundësojnë komunikimin jashtë ambientit që i rrethon.

Aty ku s’ka bankë, përmes telefonit njerëzit mund të bëjnë dërgimin dhe pranimin e parave; aty ku s’ka spital, përmes mobilit mund të marrin këshilla mjekësore; dhe fotografitë e pranverës arabe nga Afrika e Veriut dhe Lindja e Mesme të cilat u dërguan anembanë botës përmes mediave sociale, treguan se me ndihmën e telefonisë mobile mund të udhëhiqen edhe revolucione politike.

 

Si ndikon mungesa e lëndës së parë në telefoni

Megjithatë, bumi në telefonat mobil mund të zvogëlohet shpejt apo edhe të vijë në një fund të papritur. Shkak për këtë janë metalet e rralla si Indiumi ose Tantali. Kërkesa për këto pjesë përbërëse të pazëvendësueshme të telefonave mobil modern qysh tani e tejkalon pjesërisht prodhimin vjetor. Nëse celularët edhe më tutje thjesht do të hidhen, kur të vjetërsohen, apo do të mbeten të papërdorur diku në shtëpi, materialet e tyre përbërëse do të humbin. 

Duke pasur parasysh pakësimin e rezervave të lëndës së parë kjo gjendje është kërcënuese për ekzistencën e industrisë, sepse metalet më nuk do të jenë në dispozicion për ri-përdorim. Në shumë vende në zhvillim, telefonat mobil pas përdorimit thjesht digjen së bashku me mbeturinat tjera. Kështu, ata jo vetëm që nuk mund të riciklohen, por edhe pluhuri që lirohet shpesh është shumë helmues dhe i dëmshëm për njerëzit dhe ambientin.

Si shumë pajisje teknike moderne, edhe mobili është shndërruar nga një produkt për konsumator të veçantë, në një pajisje për përdorim ditor, që shfrytëzohet nga miliona përdorues. Për shumë njerëz, ai është pjesë e përditshmërisë sikur se radio, televizori ose kompjuteri. Prodhimi i kësaj super-pajisjeje të vogël megjithatë, vazhdon të konsumojë lëndët e para dhe energjinë dhe shpesh shkakton ndotje të ajrit. Mobili, ky ndihmës i vogël teknik, sipas të gjitha gjasave nuk do të zhduket në të ardhmen e afërt. Përkundrazi, ata do të zhvillohen vazhdimisht dhe do t’iu përshtaten trendeve të reja, zhvillimit teknologjik dhe mënyrës së përdorimit. Do të jetë interesant për të parë se çfarë pajisjesh do të nxjerrim pas dhjetë vitesh nga xhepat tanë kur të bie zilja, dhe çka do të mund të bëjnë ato.