Heroina e fëmijëve

17.04.15 13:38


Një jetë nën shtypje, varfëri dhe pa të drejtën për tu shkolluar, është një fat i keq që edhe sot e kësaj dite i përcjell shumë njerëz. Për shtatëmbëdhjetëvjeçaren pakistaneze Malala Yousafzai kjo nuk ishte më e pranueshme. Ajo ndërmori gjithçka për t’iu kundërvënë këtyre kushteve në vendlindjen e saj.

Lugina Swat në Pakistanin veri-lindor ka qenë vendlindja e familjes së Malala Yousafazai-it për shumë gjenerata. Mirëpo atje, që nga viti 2004 mbizotëron një konflikt i përgjakshëm në mes të Ushtrisë pakistaneze dhe Talibanëve. 

Talibanët si një organizatë terroriste radikale islamike, në vazhdimësi luftojnë kundër qeverisë pakistaneze dhe popullatës së atjeshme e cila nuk i takon besimit Islam Sunit. Brenda dhjetëvjeçarit të fundit, në territoret e kontrolluara nga talebanët janë shkatërruar shumë shkolla për femra, është ndaluar dëgjimi i muzikës dhe vallëzimi dhe femrat janë të detyruara që të bartin mbulesë mbi tërë trupin e tyre. Nëpërmjet këtyre masave ata po mundohen që të arrijnë qëllimin e tyre, për aq sa është e mundur, që të zhdukin pjesëmarrjen e grave dhe vajzave në jetën publike. Brenda këtij ambienti, Malala në moshën 11-vjeçare, pra në vitin 2009 kishte filluar që të shkruaj një ditar mbi jetën e saj në faqen e internetit të transmetuesit britanik të lajmeve BBC.

 

Një sulm i frikshëm

 

Rritja e popullaritetit të këtij blog-u dëshmoi se Malala me përshkrimin e jetës së saj kishte prekur shumë kë. Njerëz, jo vetëm nga vendlindja e saj në Pakistan, por edhe shumë vende të mbarë botës, kishin filluar të interesoheshin për jetën e kësaj vajze.

Ishte hera e parë që dikush po e ngrinte zërin të varfrit dhe të shtypurit, për femrat të cilave talebanët i kishin përjashtuar nga e drejta për tu arsimuar dhe pjesëmarrja në jetën shoqërore të këtij vendi. Më në fund dikush kishte marrë guximin për të denoncuar padrejtësitë dhe dhunën e ushtruar nga ekstremistët, dhe ky dikush-i nuk ishte ndonjë njeri i fortë apo politikan i pushtetshëm, por ishte vetëm një vajzë e vogël nga një provincë pakistaneze.

Malala përmes Blog-ut të saj ishte shndërruar në një kundërshtare shumë serioze për talebanët, prandaj në Tetor të vitit 2012 ata tentuan ta vrisnin atë. Një ditë teksa ajo po kthehej së bashku me fëmijët tjerë në shtëpi nga shkolla, disa burra të armatosur e ndalën autobusin dhe e kërkuan atë. Pasi e gjetën e qëlluan me armë zjarri nga afërsia në kokë dhe në qafë.

E plagosur rëndë, ajo u dërgua në një spital në Peshavar, kryeqyteti i një province në Pakistan, dhe aty ishte operuar me urgjencë. Ajo mbijetoi, por vragët i mbetën për një kohë të gjatë dhe njëherit duhej që të mësonte sërish shumë gjëra të përditshme. Në letrën me të cilën morën përsipër përgjegjësinë për sulmin. Talebanët edhe njëherë treguan përçmimin e tyre për njerëzimin teksa arsyetonin tentimin e vrasjes me përpjekjet e Malala-së për të arritur qasje të pakufizuar të vajzave në edukim.

 

Rruga drejt shërimit

Duke qenë se plagët ishin shumë të rënda dhe trajtimi adekuat mjekësor në Pakistan ishte i pamundur, Malala u dërgua në Britani të Madhe. Atje, ajo mbeti nën përkujdesin mjekësor për shumë muaj kurse pamja e saj, e cila ishte shpërfytyruar nga e shtëna në kokë, u rindërtua me ndihmën e kirurgjisë plastike.

Sidoqoftë, sulmi tmerrues dhe kurimi i stërzgjatur, nuk arritën që ta zmbrapsin Malalën nga rruga e saj. Ajo vazhdoi të luftonte për të drejtat e vajzave në vendlindjen e saj. Madje, për nder të saj, në vitin 2012 Kombet e Bashkuara themeluan një fond për arsimim. Ky fond do të përdoret për të vazhduar luftën për të drejtën e fëmijëve për arsimim.

 

Aktivitetet jashtë vendit

Historia e Malala-s ka prekur shumë njerëz anembanë botës. Revista amerikane “Time Magazine” e shpalli atë si personin më të rëndësishëm për vitin 2012, menjëherë pas presidentit amerikan Barack Obama.

Shikuesit e transmetuesit të lajmeve “Euro News” e zgjodhën Malala-në si personalitetin e vitit, ndërsa publiku i transmetuesit amerikan “CNN” e votoi si personalitetin më fascinues të vitit, pas Obama-së. Malala e shfrytëzoi vëmendjen jashtëzakonshme të medieve, për të vazhduar luftën për kauzën e saj. Fjalimi i saj i parë pas sulmit ishte në Asamblenë e të Rinjve të Kombeve të Bashkuara. Atje, ajo i dorëzoi Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, një peticion me katër milion nënshkrime për arsimimin e fëmijëve.

 

Shpërblimet për angazhimet e saj

Krahas vëmendjes së mediave, Malala është shpërblyer për angazhimin e saj edhe nga shumë organizata. Ajo është shpërblyer me gjithsej dhjetë çmime dhe mirënjohje në shenjë nderimi të luftës së saj për më shumë edukim për fëmijët. Ndër të tjera, në vitin 2013 ajo është dekoruar me çmimin Saharov nga parlamenti Evropian.

Çmimi Saharov për Mendimin e Lirë, ndryshe njihet edhe si çmimi i BE-së për të Drejtat e Njeriut dhe ndahet vetëm për personat që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për të drejtat e njeriut dhe lirinë e mendimit. Madje, në ndërkohë që Malala ishte ende në spital, janë ndërmarr disa iniciativa për ta nominuar atë për Çmimin Nobel për Paqe.

Kështu ajo u bë kandidatja më e re për një prej çmimeve më të larta dhe më të njohura në botë. Vitin e kaluar, asaj, së bashku me Kailash Satyarthi nga India, iu nda Çmimi Nobel për Paqe. Kjo do të thotë se ajo tani është rreshtuar në mesin e laureatëve me famë botërore si Nelson Mandela, Nëna Terezë apo edhe Dalai Lama.

Malala, vazhdon ta shfrytëzojë famën e saj për të luftuar për të drejtat e fëmijëve për edukim të përshtatshëm. As rrethanat më të tmerrshme nuk arritën ta largonin atë nga rruga e saj. Ajo shfaq guxim dhe vendosmëri në luftën për përmirësimin e kushteve të jetesës së njerëzve. Kjo e bën shembull të ndritshëm dhe shenjë shprese jo vetëm për fëmijët e mbarë botës, por edhe për mbarë njerëzimin.