Nafta – Ari i zi

30.03.15 07:58


Vetëm një numër i vogël i njerëzve, arrin të vijë ndonjëherë në kontakt të drejtpërdrejtë me të. Megjithatë është pjesë përbërëse e shumë produkteve të tjera dhe përdoret për një numër të madh nevojash. Nafta është një substancë e shumëanshme dhe shumë e rëndësishme. Prandaj ajo është një materie e cila e lubrifikon përditshmërinë tonë.
Paramendojeni një botë pa naftë. Shumë automjete nuk do të mund të lëviznin, shumë banesa nuk do të ngroheshin gjatë dimrit, gjithashtu edhe shumë preparate mjekësore nuk do të ekzistonin. 

Prandaj, nafta është një materie e rëndësishme e cila ndikon fuqishëm në përditshmërinë tonë. Ajo shërben për prodhimin e energjisë elektrike dhe mund të përpunohet në prodhimin e produkteve artificiale, ngjyrave, barërave dhe në kozmetikë. Për shoqëritë e industrializuara, ajo është lëngu më i rëndësishëm jetësor, gjë për të cilën ne të gjithë jemi më se të vetëdijshëm. Prandaj, ka arsye të fortë pse kjo lëndë djegëse organike e lëngshme quhet Ari i zi.

 

Varësia nga nafta

Shumica e njerëzve e kuptojnë varësinë tonë nga nafta në pompat e benzinës. Litra të tëra të dizelit (naftës) apo benzinës derdhen nëpër rezervuarët e automjeteve tona dhe digjet për t’i vënë ato në lëvizje. Ngasësit e automjeteve e blejnë këtë materie djegëse, e cila përfitohet nga nafta dhe në varësi të çmimit aktual të naftës së papërpunuar, detyrohen që të paguajnë shuma të konsiderueshme. Kush dëshiron që gjatë dimrit të ketë shtëpi të ngrohtë, patjetër që i duhet të përdor qymyrin, gazin natyror apo edhe naftën. Ky lëng i shumë kërkuar ka një domethënie të madhe edhe në fushën e prodhimit të produkteve artificiale. Nafta, është një prej përbërësve më të rëndësishëm për prodhime si plastika dhe goma.

 

Çmimi përcaktohet nga një numër shumë i vogël i shteteve

Shumica e shteteve prodhuese të naftës janë anëtare të një organizate të themeluar nga vet këto shtete të ashtuquajtur OPEC-u (Organization of the Petrolium Exporting Countries). Kjo organizatë bën marrëveshje të brendshme mbi sasinë e naftës që do të prodhohet dhe rrjedhimmisht arrinë të ushtrojnë ndikim domethënës në përcaktimin e çmimit të naftës. 40% e naftës së prodhuar në botë ka prejardhje nga shtetet e OPEC-ut dhe besohet se këto shtete posedojnë mbi 70% të rezervave të naftës në mbarë botën. Shtetet më të rëndësishme si prodhuese të naftës janë Arabia Saudite, Irani dhe Iraku, të gjitha këto shtete të Lindjes së Mesme. Mirëpo, sasi të mëdha nafte prodhohen edhe në Amerikën Veriore dhe Jugore si dhe në Rusi. Shumë shpesh ndodhë që vet prodhimi të jetë i ndërlikuar dhe të shkaktojë ndotje. E gjitha fillon me hulumtimin e rezervave nën shtresat e thella shkëmbore të tokës. Pas shpimit të vrimës fillon nxjerrja e kontrolluar e kësaj lënde të parë, shpesh nga disa mijëra metra thellësi. Varësisht se çfarë produkti final do të prodhohet nga ky ar i zi, lënda e parë dërgohet nëpër rafineri të specializuara për përpunim. Për këtë arsye ajo ndonjëherë duhet të transportohet në anën tjetër të botës me anijet tanker, apo edhe të pompohet nëpërmjet naftësjellësve shumë të gjatë.

Etja për naftë është në rritje

Njësia matëse e naftës e cila përdoret në tregtinë e shitjes së saj quhet fuçi (barrel). Një fuçi i ka afërsisht 159 litra. Tani për tani, shpenzimet botërore të naftës arrijnë shifrën prej më shumë se 90 milion fuçi në ditë. Shpenzuesi më i madh me më shumë se 20% të naftës së prodhuar në botë janë SHBA-të, të pasuara nga Kina me pak më shumë se 10 për qind. Ky shtet aziatik ka një etje në rritje për burimet e energjisë organike, e cila është veçmas e ndërlidhur me rritjen e shpejtë të ekonomise së vendit. Japonia është e treta me përafërsisht 5 për qind të naftës së shpenzuar. Në Evropë, Gjermania ka më së shumti nevojë për naftë pasi ajo shpenzon rreth 3 për qind të naftës së prodhuar në shkallë botërore dhe është e katërta në listën e konsumatorëve më të mëdhenj.

 

 

Një lëndë e parë së cilës po i vije fundi

Disavantazhi i varësisë nga një materie organike si nafta është se burimet e saj janë të kufizuara. Nafta është krijuar nga procesi miliona vjeçar i kalbjes së materialeve organike në thellësi të tokës dhe mu për këtë arsye nuk mund të riprodhohet brenda një periudhe të shkurtër. Një ditë, të githa rezervat e kësaj materie do të zbrazen, ose që është më e mundur, prodhimi i naftës do të bëhet tejet i ndërlikuar dhe tejet i kushtueshëm. Specialistët parashohin një rënie domethënse në prodhimin e naftës dhe rrjedhimisht mungesë të naftës pas rreth 40 vitesh. Përveç rezervave të kufizuara ekzistojnë edhe disavantazhe tjera: në rast të derdhjes së pakontrolluar të naftës nga pikat e shpimit apo depërtimit të saj në abient nëpërmjet rrugëve tjera, si aksidentet, atëherë dëmet e shkaktuara janë katastrofale. Në të kaluarën fatkeqësitë në të cilat ishin të përfshirë tankerët apo platformat e naftës shpesh kanë çuar në ndotjen afatgjatë dhe të rëndë të ambientit.

 

Nevoja për ndërrim të kursit

Pa marrë parasysh se sa e rëndësishme mund të jetë nafta për njerëzimin, rreziqet gjatë përpunimit të saj dhe kufizimet e rezervave të saj mbesin një sfidë. Prandaj, shkencëtarët dhe organizata nga mbarë bota janë duke kërkuar burime të qëndrueshme të energjisë. Mirëpo, ende nuk është vendosur se cili burim i energjisë do të zëvendësojë një ditë naftën si “lubrifikuesin e përditshmërisë sonë”; ndoshta energjia diellore; energjia e ujit; apo edhe energjia e erërave. Sodoqoftë, një gjë është më se e sigurt, detyra për zëvendësimin e naftës është e stërmadhe.