Euro për Lituaninë

27.03.15 14:38


Lituania, është vendi i fundit Baltik që e ka futur euron si monedhë zyrtare në fillim të këtij viti. Shpresohet se ky ndryshim do të ndikojë në rritjen e ekonomisë por gjithashtu ekziston frika se kjo do të sjell edhe ngritjen e çmimeve.|


Pas dy vendeve fqinjë, Estonisë (2011) dhe Letonisë (2014) gjithashtu edhe Lituania nga 1 janari i është bashkuar zonës së euros. Republika Baltike është vendi i nëntëmbëdhjetë që bëhet pjesë e zonës së monedhës të përbashkët evropiane. 

Kushtet për futjen e euros ishin plotësuar në tërësi: Ekonomia e Lituanisë është përmirësuar pas krizës financiare të vitit 2008. Me e rritjen e parashikuar prej 2,9 për qind ajo është pjesë e ekonomive me rritje më të shpejtë në tërë Bashkimin Evropian (BE). Ministri i financave të Lituanisë, Rimantas Sadzius, thotë se po ashtu si më parë në Letoni dhe Estoni, rritja ekonomike përmes futjes së euros do të përfitojë dinamikë shtesë.

 

Përmes Euros më afër perëndimit

Kryeministri Algirdas Butkevicius e arsyeton anëtarësimin e Lituanisë në zonën monetare, jo vetëm me argumente ekonomike. Më saktë, përmes kësaj ai shpreson që të arrihet një përafrim më i madh me Perëndimin. Lituania është një anëtare e BE-së dhe NATO-së që nga viti 2004. Me futjen e euros, vendi dëshiron që si ekonomikisht po ashtu edhe politikisht të bëhet më e pavarur nga Rusia. Historia tregon se Rusët dhe Lituanët kanë qenë gjithmonë partnerë të ngushtë tregtarë. Megjithatë, që nga zhvillimet në Ukrainë duket se edhe Lituania, po ashtu si dy vendet e tjera baltike, me shqetësim po e shikojnë të ardhmen. Me futjen e euros kryeministri Butkevicius pret një hapje të mëtejshme të tregut drejt perëndimit dhe kështu të krijohen tregje të reja për produktet e Lituanisë.

 

Frika nga ngritja e çmimeve

Fakti se që tani e tutje njerëzit në Lituani nuk do të paguajnë më me litas, si quhej monedha kombëtare deri më 31.12.2014, por me euro, zgjon te disa qytetarë edhe frikë. Shumë njerëz kanë frikë nga rritja e çmimeve dhe konkurrencës nga kompanitë e huaja. Sipas sondazheve të fundit, vetëm 40 për qind e popullsisë ishin për futjen e euros. Për më tepër, shumë njerëz e lidhnin valutën litas me sovranitetin e tyre kombëtar. Dy herë në historinë e Lituanisë, ajo u zëvendësua nga një tjetër valutë e huaj. Por të paktën edhe në monedhat e reja euro do të shtypet emblema shtetërore e vendit si një simbol kombëtar. Kalorësi mbi kalë me shpatën e zhveshur dhe mburojën e ngritur e zbukuron për mbi 600 vjet, monedhën e Lituanisë. Për të ëmbëlsuar sadopak lamtumirën nga Litas, edhe një fabrikë çokollate ka menduar diçka shumë të veçantë: një çokollatë, në sipërfaqen së cilës është modeluar një banknotë e vjetër prej 20 litas.