Gjendet në rrjet: Spirografi online

18.03.15 13:15


Faqja më e re në rubrikën tonë “gjendet në rrjet“ iu dedikohet atyre që dëshirojnë ta kultivojnë dellin e vet kreativ.
Ne e kemi gjetur për ju spirografin e parë digjital plotësisht funksional. Shkoni në adresën http://nathanfriend.io/inspirograph dhe binduni vet për këtë. Për ata mes jush, të cilët janë pak në mëdyshje tani, ja ku është një shpjegim i vogël se për çfarë bëhet fjalë: 

Spirografi? – Çfarë është ai?

Spirografi ishte një vegël kreative për vizatim që përbëhej prej shumë rrotave dhëmbëzore nga plastika. Ato vendoseshin mbi një letër, dhe pastaj viheshin në punë lapsat, ngjyrat apo mjete të ngjashme për vizatim me maja të holla. Rrota e parë kishte një unazë dhëmbëzore të brendshme kurse e dyta unazë të jashtme, dhe këto dyja duhej të ndërlidheshin. Pastaj lapsi futej në njërën prej vrimave në rrota dhe gjithçka ishte gati.  Me lëvizje të ngadalshme në forma rrethore, në letër krijohen figura gjeometrike, të ashtuquajturat cikloide (figura me formë rrethore).

 

Një shpikje për fëmijë si  dëmshpërblim

Shpikësi i spirografit ishte Denys Fisher, i cili në vitin 1962 e prezantoi lodrën para opinionit botëror. Fisher nuk ka qenë gjithmonë prodhues lojërash. Para se të niste këtë veprimtari, firma e tij prodhonte ndezëse granatash, për të cilën gjë ai në jetën e tij të mëvonshme gjithnjë ishte penduar:  „Pesë milionë spirografë ndoshta mund të bëjnë të harrohet, që unë më parë kam prodhuar pesë milionë ndezëse për granata” kishte thënë shpikësi në një intervistë në vitin 1967.  

 

Një lodër 130 vjet e vjetër  

Por Fisher nuk ishte shpikësi i parë i spirografit. Ishte matematikani polak Bruno Abakanowicz ai, i cili në vitin 1885 fillimisht kishte projektuar vizatuesin spiral, nga i cili kishte gjetur burimin lodra për fëmijë e Fisher.

Njeriu prapa lodrës digjitale

Në faqen http://nathanfriend.io/inspirograph tani ju mund t’i vizatoni rrathët tuaj dhe të krijoni figura gjeometrike me bukuri mbresëlënëse pa përdorur fare letër dhe rrota dhëmbëzore të plastikës. Nathan Friend, programuesi i cili qëndron prapa ueb-faqes së inspirografit, përveç profesionit të tij si programues është edhe një violonçelist i respektuar.

Inspirografi është vetëm vepra e tij më e re. Nathan Friend përveç veglës së tij digjitale për vizatime ka projektuar dhe programuar edhe programe online për Chat, për të bërë muzikë apo edhe për të luajtur me letra bixhozi. Të gjitha këto programe mund t’i gjeni në faqen e tij të Internetit http://nathanfriend.io.

 

Çfarë ofron inspirografi?

Vet programi është shumë komod për ta komanduar përmes ueb-shfletuesit. Pra nuk ka nevojë për ndonjë shkarkim apo instalim të bezdisshëm. Spirografi përbëhet prej 21 rrotave dhëmbëzore statike dhe 17 rrotave dhëmbëzore të lëvizshme të madhësive të ndryshme. Ngjyrat mund të përzgjidhen nga paleta e posaçme e ngjyrave. Rrota dhëmbëzore më e vogël i ka pesë vrima, në të cilat ju mund t’i ngulni “lapsat” tuaj, ndërsa më e madhja i ka 35. Vizatimet që i bëni mundeni ose t’i shkarkoni, ose t’i ndani me piktorët e tjerë në galerinë online. Si pikë kulminante e veçantë projektuesi aktualisht është duke programuar një version mobil për telefonat e mençur (Smartphone), kështu që së shpejti ju do të keni mundësinë të pikturoni edhe kur të jeni rrugës.

Kushdo që ndjehet i gatshëm të kalojë në veprim, mund ta kultivoj dellin e vet krijues në http://nathanfriend.io/inspirograph.