Nga erdhën Microsoft-i dhe Windows-i?

02.03.15 14:37


Pothuajse çdokush e përdor apo e ka përdorur së paku një herë. Fjala është për dritaret. Por, jo për të ato që vendosen në muret e shtëpive për ajrim dhe për të parë jashtë. Fjala është për ato, të cilat janë pjesë e historisë së suksesit të jashtëzakonshëm të një ndërmarrjeje të themeluar para 40 vitesh. Me siguri asnjëri prej themeluesve para katër dekadave nuk ka pritur, që ndërmarrja e vogël e programeve (softuereve) nga Albuquerque (Albukërki) SHBA, një ditë do të bëhej udhëheqëse e tregut global për Sistemet Operative dhe aplikacionet softuerike.

 

Hapat e parë dhe depërtimi

Kur Bill Gates dhe Paul Allen më 1975 i shitën programet e tyre të parë, historia e tyre e suksesit ende nuk mund të merrej me mend. Fillimi, në kuadër të një fushate promovuese të një ndërmarrje të quajtur Micro-Soft, së pari u shënua përmes krijimit të programeve të vogla me përfitim modest. Në muajin e parë të dy themeluesit ndanë një fitim prej 1516 dollarësh. Në vitet e para Microsoft-i arriti që të rritej shpejt, para së gjithash përmes blerjeve të mençura të licencave.  

Depërtimi i madh erdhi me shitjen e Sistemit Operativ të njohur me emrin MS DOS tek prodhuesi i Harduerit IBM. Në vitin 1981 IBM nxori në treg kompjuterin e saj personal që kushtonte 3000 dollarë i cili ishte pajisur me MS-DOS. Sistemi operativ MS-DOS që përshkruhej si „i shpejt dhe i ndotur“ fillimisht mbeti mbrapa të arriturave në teknike dhe në shumë dosje të specializuara u kritikua tejmase.

 

Zgjerimi dhe transformimi në liderin e tregut

Ngritja e kompanisë në nivelin e një perandorie të softuereve filloi me zhvillimin e familjes më të njohur të produkteve nga Microsoft. Futja e sistemeve të para operative Windows, veçanërisht të Windows 3,1 ia mundësoi përdoruesit jo vetëm një sipërfaqe punuese miqësore, por edhe tërheqëse në shikim. Me klaimin e viteve, seria e Windows-it u zhvillua si sistem operativ standard i shumicës së përdoruesve të PC-ve  dhe gjithkush e njeh "dritaren" si një mjedis pune.

Sidoqoftë, vitet në vijim, posaçërisht fundi i viteve '90, u shënuan me procese gjyqësore dhe konkurrencë të ashpër për Microsoft-in. Në veçanti, e ashtuquajtura "lufta e shfletueseve" ishte një provë për Microsoft. Microsoft-i u përpoq që përmes lidhjes së produkteve dhe përfundimit të marrëveshjeve në fuqi, shfletuesin e vetë, Internet Explorer-in, ta lejojë si shfletues të vetëm në të gjithë kompjuterët e bazuar në Windows. Me këtë synohej të bëhej presion posaçërisht ndaj kompanive AOL dhe Compaq.

 

Microsoft-i sot

Krahas sistemeve operative Microsoft-i e zgjeroi ndër vite edhe gamën e tyre të produkteve. X-Box-i, Windows-Media-Player-i apo Microsoft Office janë disa shembuj. Ndërmarrja, që u themelua para 40 vitesh me një fitim të pastër prej më pak se 2000$ në muaj, arrin sot një fitim prej 22 Miliardë Dollar, në shkallë globale i ka më shumë se 120.000 të punësuar dhe furnizon tërë botën me prodhimet e saj pothuajse në të gjitha gjuhët. Ajo që Bill Gates dhe Paul Allen, dy prej njerëzve më të pasur të botës sot, themeluan asokohe në një vend në New Mexico, u bë një histori e vërtetë suksesi.