Gjetjet e kota e të dobishme nga Interneti

06.02.15 14:52


S’ka çka s’ka në Internet. Ne bëmë një kërkim për ju.

Interneti. Një cikërrimë prej vetëm 1.053.778.388 faqeve të Internetit, të cilat presin që të zbulohen nga ju. Shifra nuk është mjaft e kapshme për ju? Atëherë po përpiqem pak më ndryshe: po të ishit në gjendje që t’i shfletonit 41244 syresh në ditë, do të arrinit të shfletonit fondin aktual brenda vetëm 70 viteve. 

E pra, nëse ende nuk e keni të qartë, ky është momenti kur e kuptoni se një gjë e tillë është e pamundur. Për këtë arsye ne i hymë punës që të hulumtojmë mbretërinë e pafund të Internetit, në mënyrë që të nxjerrim nga kjo arkë digjitale diçka që për shumicën prej jush ndoshta është ende e panjohur.

Të kota, të dobishme apo thjesht argëtuese? Vendosni vet:

www.igtfy.com

A ju tingëllon e njohur kjo situatë? Të qetë dhe në disponim të mirë jeni duke i lexuar lajmet më të reja në Facebook apo duke lundruar me rehati në forumin tuaj të preferuar dhe papritmas disponimi i mirë ju avullohet në flakët e një pyetjeje, të cilës, të gjithë e dinë se ju nuk mund t’i përgjigjeni, por që gjithsesi ua parashtrojnë. Apo edhe më keq: Dikush “bombardon” pauzën tuaj më se të merituar me një pyetje, të cilën para tij tashmë e kanë parashtruar edhe së paku 1.000 të tjerë, prej të cilëve së paku 999 persona do të kishin mundur ta përdornin google për të gjetur përgjigjen.

Në qoftë se tani jeni duke e tundur kokën fort, atëherë do të duhej që urgjentisht ta përfshini në favoritet tuaja edhe faqen www.igtfy.com(I google that for you). Në këtë faqe, e cila është e ngjashme me google, ju mund të shkruani secilën nga këto pyetje në rubrikën e kërkimit. Si rezultat do t’ju gjenerohet një link, të cilin ju thjesht mund t‘ia dërgoni si përgjigje parashtruesit të pyetjes. Kur ky e thërret linkun, atij përmes një animacioni i demonstrohet se si kishte mundur të gjente vet përgjigjen në atë pyetje duke përdorur google. Një udhëzim modest për parashtruesin e pyetjes përmes një luleje, mbi atë se si ai në të ardhmen të mund të arrijë në cak në mënyrë të pavarur.

 

www.donothingfor2minutes.com

Të stresuar? Jo domosdo! Thjesht bëni një pauzë. Dhe në qoftë se për shkak të obligimeve të shumta nuk dini më se si duhet të bëhet një pauzë, atëherë ju ndihmon kjo faqe e internetit: www.donothingfor2minutes.com

www.howsecureismypassword.net

Siguria në Internet është një çështje për të cilën njerëzit janë duke u vetëdijësuar gjithnjë e më shumë. Që nga rasti i Edward Snowden-it askush më nuk mund ta përdorë me ndërgjegje të qetë një fjalëkalim të thjeshtë. Megjithatë, tundimi për të bërë të njëjtin gabim mbetet i madh. Të jemi të sinqertë: kush ka dëshirë të mbajë në mend një mori shkronjash, numrash e shenjash të komplikuara, vetëm për t’ia hedhur një sy Facebook-ut. Rrjedhimisht, krijimi i fjalëkalimeve të sigurta pra është një detyrë jo e pëlqyer, për të cilën mund t’ju nevojitet pak motivim. 

 

Në faqen www.howsecureismypassword.netmund të gjeni një vegël të thjeshtë dhe të kapshme, e cila mund ta vlerësojë sigurinë e fjalëkalimit tuaj. Ajo përllogarit kohën që do t’i nevojitej një kompjuteri të zakonshëm për ta thyer zinxhirin tuaj sekret të shenjave. Kjo faqe ju shtyn që të gjeni fjalëkalime, të cilat u bëjnë ballë hakerëve për miliona vite, por që njëkohësisht mund t’i mbani lehtë në mend. Provojeni njëherë.

Një truk i mirë është që t‘i kombinoni numrat dhe inicialet me shkronja të mëdha dhe të vogla që janë të rëndësishme për ju si dhe shenjat e ndryshme që do ti vendosni të përziera ndërmjet numrave e shkronjave. Për shembull Tarek Berisha, një 17 vjeçar, i cili bart numrin 11 në fanellën e tij të futbollit, mund të krijojë fjalëkalimin: “T1b;11:7rEk“.