Organizatat dhe Institucionet e Europës – ESA

06.02.15 14:34


Kozmosi, kufiri i fundit. Që nga viti 1975 Agjencia Europiane e Hapësirës (ESA) e ka hulumtuar kozmosin. Selia e saj kryesore gjendet në kryeqytetin francez, Paris. ESA u themelua, për të koordinuar përpjekjet e vendeve anëtare të BE-së në hulumtimin e hapësirës. Në kohën e themelimit të saj, qëllimi ishte që ESA të mundësonte barazimin gradual me projektet hapësinore të SHBA-ve dhe Rusisë. Sot ESA përfshin 20 shtete anëtare, e ndër to janë edhe Gjermania, Franca, Rumania dhe Republika Çeke. 

Përveç selisë qendrore në Paris, ESA ka edhe shumë lokacione të tjera në Evropë dhe një port hapësinor në Kourou, në Guajanën franceze, Amerikë e Jugut, prej ku edhe nisen raketat.

 

Hulumtimi paqësor dhe eksplorimi

Detyra kryesore e ESA është eksplorimi paqësor i hapësirës. Për këtë qëllim ajo i ka dy "degë". Njëra është përgjegjëse për ndërtimin e satelitëve të ESA, të cilët shfrytëzohen për të hulumtuar gjithësinë. Tjetra zhvillon raketat – të quajtura edhe sistemet bartëse - me të cilët satelitët dërgohen në hapësirë.

Sistemi bartës më i mirë i njohur është ARIANE 5.

Me një gjatësi prej 59 metra dhe peshë prej rreth 775 ton, ARIANE 5 është një nga raketat më të rëndësishme.

Udhëtimi drejt një komete

Para pak kohësh ESA shënoi edhe një sukses tjetër pasi për herë të parë në historinë e udhëtimeve në hapësirë arriti të realizonte uljen në një kometë. Sonda e hapësirës Rosetta (emëruar sipas qytetit egjiptian Rosetta), pas një udhëtimi dhjetë-vjeçar, e zbarkoi sondën Philae në kometën Churyumov-Gerasimenko. Ulja e sondës në kometë u realizua më 12 nëntor 2014. Përkundër se manovrimi i uljes nuk ishte aq i suksesshëm siç ishte planifikuar, Philae mbeti e paprekur dhe për dy ditë, shtatë orë dhe 57 minuta vazhdoi të transmetonte sinjale, përpara se të kalonte në një lloj gjendjeje të gjumit dimëror.

Për të gjithë ju që dëshironi të mësoni më shumë për ESA dhe misionet e saj, ju rekomandojmë që të vizitoni faqen e internetit www.esa.int/esaKIDSen. Në këtë faqe, të dizajnuar posaçërisht për të rinjtë, ju mund të mësoni gjithçka rreth eksplorimit të hapësirës.