Para 200 vitesh, ishte tepër herët

06.02.15 14:26


Në mbrëmjen e 18. qershorit 1815, ylli ushtarak dhe politik i një prej personaliteteve më të rëndësishme të asaj kohe ra po aq shpejt, sa edhe ishte ngritur dikur në qiellin e politikës Evropiane. Me mposhtjen e armatës franceze 15 kilometra në jug të Brukselit, në afërsi të qytezës Waterloo, përfundoi përgjithmonë sundimi i Napoleon Bonapartës mbi Francën dhe gjithë kontinentin evropian.

Ajo çfarë mbeti, ishin megjithatë idetë dhe parimet e një koncepti të ri ligjor, të cilat ai i kishte sjellë me vete. Kështu, nën sundimin e tij qenë kufizuar fort privilegjet e aristokracisë dhe ishte krijuar siguri juridike për qytetarët. Administrata dhe demokracia kishin hyrë në rend të ditës. Napoleoni në vitet e fundit në mënyrë të konsiderueshme kishte ndryshuar rendin politik dhe juridik gati gjithkund.

Idetë i mbijetojnë kohës

Si do të duhej të dukej e ardhmja e kontinentit pas mposhtjes së Napoleonit dhe dëbimit të tij në ekzil? Me këtë pyetje merreshin kah mesi i vitit 1815 sunduesit e Evropës dhe të dërguarit e tyre në Vjenë.

Vendimet që u morën ndryshuan hartën e Evropës së shekullit të XIX në favor të fituesve. Në pjesën më të madhe u rivendos rendi i kohës para Napoleonit. Francës iu desh që të hiqte dorë nga territoret e aneksuara. Sunduesit e vjetër e rifituan pushtetin e tyre. Mirëpo, ajo çfarë mbeti nga pushtimi francez ishin idetë, të cilat francezët i sollën me vete në krahinat e pushtuara përmes ligjeve të tilla si “Kodi Civil i Napoleonit”.

Mirëpo para 200 vitesh ishte tepër herët që këto ide, atëherë radikale, si demokracia apo juridiksioni i unifikuar, si dhe ideja për ligje të barabarta për të gjithë qytetarët, të mund të nguliteshin nëpër mendjet e të gjithëve në çdo vend dhe në mënyrë të qëndrueshme.

Rilindja e ideve përparimtare

Fillimisht, vendimet e Kongresit të Vjenës i zhdukën sërish idetë dhe ligjet përparimtare. Përkrahësit e tyre ende nuk ishin mjaft të fortë për ta ndërruar rendin. Mirëpo, kur hedhim një vështrim në rrjedhën e historisë, kjo ishte vetëm çështje kohe. Sepse burimi i shkëndijës iniciuese për përhapjen e shumë parimeve juridike edhe sot e kësaj dite të vlefshme ndërkombëtarisht, siç janë demokracia, barazia para ligjit, apo liria individuale, të cilat mundësojnë bashkëjetesën në paqe, pjesërisht mund të gjendet në pushtimet dhe okupimet e Napoleonit.