Rifet e rënda dhe telat delikatë

22.01.15 09:38


Që nga viti 1990, ata bëjnë muzikë. Dashamirët e tyre kënaqen me një shumëllojshmëri të këngëve. Tekstet e tyre ata i shkruajnë si në gjuhën shqipe, ashtu dhe në anglisht. Bëhet fjalë për grupin e Heavy metal të Kosovës "Troja". Është koha që ne të ju prezantojmë nga afër dhe të zgjojmë kërshërinë për muzikën e tyre, grupin e përbërë nga këngëtari Bujar Berisha, basisti Agron Ejupi, kitaristi Florent Bajrami dhe bateristi Violand Shabani.

 

Një përzierje e këndshme

Kush pret që në zhanrin heavy metal të dëgjojë tinguj monoton të shtrembëruar të kitarës dhe ulërima të errëta do të zhgënjehet në rastin e "Trojës". Tipike për tingujt e grupit është kryesisht kombinimi i rifeve të rënda të kitarës, tipike për metalikët, me tingujt e bukur të instrumenteve shqiptare. Por, shumanshmëria e grupit nuk demonstrohet vetëm në këtë mënyrë. Krahas, ulërimës që është pothuajse e detyrueshme në këtë zhanër dhe vokalit të thellë kryesisht kumbues – këngëtari Bujar Berisha na bind edhe me vokalin e tij të qartë e të pastër.

 

Bota si një njësi

Mirëpo, jo vetëm muzika e bendit është e pazakontë, pasi, po aq i pazakonshëm është edhe vet koncepti i grupit "Troja". Në një intervistë të kohëve të fundit në një radiostacion belg bateristi i grupit Violand Shabani, sqaroi: "Gjëja e veçantë në lidhje me grupin tonë, është që ne si “Troja” botën dhe banorët e saj nuk i ndajmë në vende apo grupe të ndryshme. Për ne ka vetëm një tokë dhe një popullësi." Krahas konceptit dhe pikëpamjes globale të grupit na befasojnë edhe arsyet mbresëlënëse pse këta katër muzikantë nga Prishtina, pavarësisht nga rrethanat shpesh të vështira në Kosovë në 20 vitet e fundit, kurrë nuk kanë menduar të tërhiqen. Këngëtari Bujar Berisha thotë: "Unë mendoj se ne jemi pjesë e Evropës dhe ne ndjehemi si pjesë e Evropës. Që ne si "Troja" të mund të marrim pjesë në festivale kudo në Europë, ishte dhe është jo vetëm dëshira jonë, por edhe dëshira e shumë artistëve tjerë kosovar. Arsyeja jonë të jemi atje është që të argëtohemi dhe idenë e Evropës ta ndjejmë me të vërtetë."

 

Albumi i tretë po vjen

Pas publikimit të dy albumeve - People (2003) dhe Amaneti i "Clown"-it (2009) - muzikantët po punojnë aktualisht në një album të tretë. Për të gjithë që gjatë leximit kanë dëshirë të dëgjojnë grupin dhe muzikën e tyre, ia vlen që jo vetëm të prisni për daljen në shitje të albumit, por edhe të vizitoni paraqitjet e "Trojës" - në Facebook apo YouTube. Pa marrë parasysh nëse dikush e pëlqen muzikën e "Trojës" apo jo, ajo nuk do ta lërë askënd indiferent.