Leximi edukon

17.04.15 14:04


Krahas televizionit, gjithnjë e më shumë kohë të lirë kalojmë në internet dhe me lojëra kompjuterike. Mirëpo, vetëm ai, i cili zotëron njërën prej arritjeve më të rëndësishme të njerëzimit, mund të jetë i suksesshëm në jetë.

Të lexuarit dhe të shkruarit – pa këto aftësi dituria nuk do të mund të kalohej nëpër gjenerata pa pësuar humbje. Për këtë arsye këto dy aftësi, krahas aritmetikës, konsiderohen si arritjet më të rëndësishme kulturore të njerëzimit. 

Posaçërisht leximi është një pjesë e rëndësishme, por shpeshherë e nënvlerësuar e jetës. Të lexosh do të thotë, të bësh diçka me një koncentrim të madh, ta përdorësh mendjen, ta vësh në veprim forcën e imagjinatës, ta kuptosh kontekstin përmes simboleve abstrakte. Gjatë leximit diçka ndodh me ne. Diçka që tejkalon pranimin e thatë të informacioneve apo të të recituarit të fjalëve.

Në rrugë, gjatë blerjes apo në internet, ne përditë përpunojmë informacione përmes leximit. Gjatë kësaj ne e stërvisim trurin tonë që të punojë me koncentrim dhe me synim të qartë. Mirëpo, kjo nuk është e tëra. Truri ynë gjatë leximit ushtron aktivitete jashtëzakonisht të mëdha fizike. Sepse, ai çdo fjalë dhe çdo fjali duhet ta shndërrojë në imazhe, të cilat më parë nuk i ka njohur dhe paralelisht me këtë të krijojë lidhje të ndërsjella. Praktikisht, leximi si efekt anësor nxit të menduarit abstrakt – veçanërisht kur kemi të bëjmë me tekste më të gjata.

Por leximi mund të bëjë edhe më shumë: ai e krijon dhe zgjeron horizontin. Përmes librave, revistave dhe teksteve në internet njeriu mëson më shumë për njerëzit e tjerë, vendet e ndryshme, historinë, ngjarjet aktuale – thjesht për gjërat, të cilat ndodhin përreth nesh. Dituria të bën të mençur dhe ndihmon që secili të krijojë një mendim të vetin si dhe ta përfaqësoj atë mendim. Leximi është parakusht për të përvetësuarit e diturisë; sepse leximi është baza e mësimit.

Analfabetizmi është një problem i njerëzimit

Sipas UNESCO-s, Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, në botë ekzistojnë rreth 781 milionë njerëz analfabetë. Pothuajse dy të tretat e tyre janë femra. Vetëm në Indi jetojnë 37% të analfabetëve të botës. Atje rreth 287 milionë njerëz nuk dinë as të lexojnë e as të shkruajnë. Një çuarje dëm e jashtëzakonshme e potencialit dhe humbje e cilësisë së jetës.

Që analfabetizmi pengon zhvillimin e njerëzimit është parë shumë herë deri tani. Kështu UNESCO është duke koordinuar nëpër tërë botën programin e aksionit  "Arsimim për të gjithë", me të cilin komuniteti botëror në vitin 2000 ka marrë si obligim që t’i arrijë gjashtë synime themelore të arsimimit. Njëri prej këtyre synimeve është që deri në fund të vitit 2015 të përgjysmohet numri i analfabetëve tek të rriturit. Një synim i vështirë, por jashtëzakonisht i rëndësishëm. Sepse të dish të lexosh në të shumtën e rasteve nuk do të thotë vetëm që të marrësh pjesë në aspektin shoqëror, por edhe të përfitosh në aspektin ekonomik. Sidoqoftë, analfabetizmi mund të jetë edhe rrjedhojë e aftësisë së kufizuar, posaçërisht aftësive të kufizuara mendore apo e sëmundjeve kronike. Edhe aftësia e kufizuar në të mësuar shpesh ka efekt negativ në aftësinë e të lexuarit.

 

Stimulimi i hershëm shpaguhet

Nevojiten disa vite ushtrime derisa fëmijët të jenë në gjendje të lexojnë rrjedhshëm. Nuk është e thënë se dikush që lexon rrjedhshëm patjetër do të bëhet një lexues i pasionuar; mirëpo kushdo që has vështirësi gjatë të lexuarit kurrë nuk do të fillojë të lexojë një libër për qejf me vetëiniciativë. Pikërisht në vitet e para të shkollimit të fëmijëve përkrahja nga ana e prindërve është e rëndësishme. Fëmijëve duhet t’iu ndihmohet që ata të bëhen lexues të mirë. Një shembull për këtë është rituali i leximit në mbrëmje. Prindërit duhet të paraprijnë me një shembull të mirë dhe t’iu lexojnë fëmijëve rregullisht, përderisa ata ende nuk dinë të lexojnë vet. Më vonë, pasi fëmiu ta ketë zotëruar artin e të lexuarit, është me rëndësi që atij t’i ngrihet kurreshtja për spektrin e gjerë të përjetimeve të ndryshme nga leximi. Në secilin libër, në secilën revistë, në secilën faqe teksti mund të fshihet një histori e re, interesante, e cila pret të zbulohet nga ata.

Por leximi mund të bëjë edhe më shumë: librat mund të jenë burimi më i mirë i frymëzimit. Shumë prej tyre trajtojnë tema, që mbase nuk i keni pritur, dhe papritmas ngrihet një çështje, të cilën keni dëshirë ta hulumtoni më tej. Autorët kanë përjetuar shumë në jetët e tyre dhe kanë edhe më shumë për të na treguar, apo mund të sugjerojnë libra dhe autorë tjerë për të cilët mendojnë se janë të mirë dhe që ia vlen t’i lexosh. Kështu në listën e dëshirave shpejt futen gjithnjë e më shumë libra dhe kënaqësia e të lexuarit nuk përfundon kurrë.

 

A i dëmton vërtetë sytë leximi nën dritën e dobët?

Qoftë nën dritën e qiririt, nën një dritë të dobët të abazhurit të komodinës apo thjesht nën dritën e fenerit të dorës nën mbulesën e shtratit – shumë njerëz besojnë, se të lexuarit nën dritën e dobët i stërngarkon sytë dhe se shkaktohen dëme të përhershme në sy. Mirëpo hulumtuesit amerikanë Aaron Carroll dhe Rachel Vreeman nuk kanë mundur të gjejnë ndonjë dëshmi se ky pohim është i saktë. Vërtetë leximi me shumë pak dritë mund t’i lodhë sytë. Mirëpo, pas një pauze të shkurtër sytë pushojnë dhe janë sërish të gatshëm për kënaqësinë e leximit të radhës. Kemi edhe një lajm të mirë për të gjithë entuziastët e leximit: sipas një studimi nga Finlanda nxënësit, të cilët kishin një kompetencë të theksuar të të lexuarit dhe të shkruarit, arrijnë të marrin nota më të mira dhe si rrjedhojë më vonë të kenë edhe shanse më të mira në ngritjen profesionale. Qoftë një libër i pluhurosur nga rafti i librave, një revistë nga tregtari i revistave, apo madje edhe ndonjë artikull nga interneti – përzgjedhja është jashtëzakonisht e madhe.  Pa marrë parasysh se për çfarë vendosni, një gjë mbetet gjithnjë e njëjtë: Leximi jep kënaqësi dhe njëkohësisht edukon njeriun.




Lajmet e Fundit

  1. “HARDH FEST - 2018”

        “Me pamje kah vneshtat” ishte motoja e festivalit tashmë tradicional “Hardh Fest” në Rahovec. Drejtor artistik i këtij festivali, z.Gardalin Shtavica, theksoi se edicioni i sivjetmë u mbajt nga 7 deri më 9 shtator. Gjatë këtij edicioni të “Hardh Fest” janë mbajtur aktivitete të shumta duke filluar me hapjen zyrtare të vjeljes së rrushit për të vazhduar me shpalljen e verëtarit më të mirë, ekspozitën “Hardh Expo” të organizuar nga Nahit Veseli, garat në vjeljen dhe shtrydhjen e rrushit për 3 ditë rresht. Ky edicion pati edhe disa risi si: “Hardh Kids” gjegjësisht aktivitetet për fëmijë, “Hardh Treni” ose udhëtimi me tren nga qyteti deri në Konak, “Hardh Bike” ose vizitat e vreshtave me biçikleta. Më pas u organizua edhe një paradë e mekanizmave bujqësore, nga më të vjetrat e deri te ato më të rejat, nga qendra e qytetit deri ne konak. Në ditën e tretë të festivalit u mbajt ora poetike te muzeu i qytetit dhe në konak u shpall mbretëresha e rrushit.

  2. KOLONIA ARTISTIKE E ARTISTEVE TE RINJ NE FERIZAJ

         Në Galerinë e Arteve në Ferizaj është hapur ekspozita e pikturave “Koloni e Artit”, si rezultat i punimeve të përfunduara në kuadër të "Javës së KFOR-it". Artistët e rinj nga të gjitha komunitetet në Kosovë, në korrik të këtij viti kanë pasur mundësinë që të shoqërohen dhe të komunikojnë përmes gjuhës universale, gjuhës së artit, dhe si rezultat i kësaj shoqërie ata ekspozuan punimet që i mbaruan përgjatë kësaj kolonie.

  3. DITA E BARAZISE SE FEMRAVE NE BONDSTEEL

    Të shtunen më 25.08.2018 në bazën amerikane Bondsteel u organizua Dita e Barazisë së Femrave. Me këtë rast përmes tregimeve personale të katër panelisteve u theksua rëndësia e barazisë gjinore.

  4. COURTOIS ‘NE GREVE’ NUK PARAQITET PER STERVITJE

    Kur kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në mbylljen e afatit kalimtar në Ligën Angleze ekipi i Çelsit (Chelsea) është duke u përballur me një krizë të vogël. Kjo sepse, siç raportojnë mediat angleze, pa dhënë asnjë shpjegim dhe pa marrë leje portieri i tyre, Thibaut Courtois, nuk u paraqit për stërvitje.

  5. PER FAT TE KEQ, JO AJO POR ATA SHKUAN NE SHTEPI!

    Për herën e tretë me radhë Kroacia arriti që ta përmbys rezultatin dhe të dalë fituese në këtë botëror. Pas Danimarkës dhe Rusisë kësaj here radhën e pati kombëtarja e Anglisë e cila para se të fillonte ndeshja ishte favorite për shumicën e ekspertëve dhe tifozëve të futbollit.

Me Shume